Aguridhet dhe aguliçet e Ambasadës Amerikane...
Aty, në Ambasadën amerikane, Edi Ramës ju mpinë ndjeshmëritë. U bë trung në truporen e ‘Noc Rrokut’, figurës fantastike të fantazive fluturake.
Nuk gjen as fruta të pjekura për Rilindjen kohët e fundit atyre sinorëve, sa ndjen përzierje plastike se si ngjau, që patronazhistët u shkërrmoqën nga gurë stralli në gurë shtufi, para se Presidenti Donald Trump të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Ditët e zeza për Bablokun që i ka ngel mik vetëm një “diplomat amerikan”, Noc Rroku, po shtyjnë njëra-tjetrën drejt 20 janarit.
E ç’të bëjë tjetër qafiri, i ngeci sharra në gozhdë Aleks Sorosit?!
Kaq paska qënë e shkruar.
Fluron nëpër lirishtën e rrethit të mbyllur, dhe nuk ndjen as kur injorohet, as kur rrotullohet rreth kunjit ku e kanë lidhur akuzat për korrupsion.
Vëlla Olsi e ka punën pisk. Nuk ka rrugë tjetër përveç arrestimit dhe konfiskimit të pasurive përrallore. Edhe vëlla Edit, aty i pushon zëmreku.
E ka ndjerë, i janë shpëlarë vlerat e goja i është rrudhur.
Nuk flet për mbështetje amerikane, as për mbështjellje sorosiane.
Sorollatet nëpër guackë të Ballkanit, sulet të shqyejë këdo i kujton patronazhistët që deklaronte se ka në Ambasadën Amerikane, ha këlyshët e vet dhe ‘dhelpëron’ nën ballkon të Saliut.
Goja lëng po i lëshon pas kangjellave të Ambasadës Amerikane, pasi e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, e ka lënë pa punë e pa frymë Bablokun.
Burime tona të besueshme, sjellin sjellje spektakolare.
Për Bablokun nuk ka atje asnjë rrush të pjekur, përveç ca aguridheve që i kanë mpirë dhëmbët dhe këmbët.
Për dhelprën e fabulës së Ezopit, edhe ata patronazhistë që kanë mbetur pa u këputur, nuk po bëhen për të.
Mes aguliçve, këtej në fshatin tonë, nuk piqet mirë rrushi, se vend ekzotik jemi.
“Barishtet” që po mbijnë pas lëvizjes së pllakave tektonike nga Presidenti Donald Trump, ja kanë mpirë edhe trurin Bablokut.
Lulet e pranverës, ngjan se po çelin para se të vijë pranvera.
Kështu, aguridhet dhe aguliçet e Ambasadës Amerikane, po e paraqesin Edi Ramën si Ilir Meta./Pamfleti
Lini një Përgjigje