TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Mars 2026, 22:35

NATO e ndarë për Iranin, Shqipëria, mes 6 vendeve të vogla që mbështesin SHBA-Izrael

Shkruar nga Pamfleti
NATO e ndarë për Iranin, Shqipëria, mes 6 vendeve të vogla
Donald Trump

Sipas Forbes, vetëm Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lituania, Letonia dhe Çekia kanë shprehur mbështetje të qartë, ndërsa shumica e aleatëve kundërshtojnë përfshirjen e NATO-s.

Sipas revistës Forbes, vetëm gjashtë nga 32 vendet anëtare të NATO-s kanë lëshuar deklarata publike në mbështetje të goditjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit. Bëhet fjalë për tri vende të Ballkanit, dy shtete baltike dhe Republikën Çeke, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump përballet me rezistencë të gjerë nga aleatët për kërkesën e tij për ndihmë në këtë operacion.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi i tij mbështet Shtetet e Bashkuara në përkrahjen ushtarake të Izraelit. Në një postim në rrjetin X më 28 shkurt, ai dënoi edhe “agresionet kibernetike” të Iranit ndaj Shqipërisë. Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pas një sulmi të madh kibernetik ndaj institucioneve shtetërore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke iu referuar të njëjtave zhvillime, deklaroi se “ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit”, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë veprimet e SHBA-së dhe aleatëve për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për të krijuar kushte për paqe.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, theksoi se vendi i tij qëndron përkrah aleatëve amerikanë përballë kërcënimeve destabilizuese në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar se diplomacia mbetet opsioni i parë, por frenimi është i domosdoshëm kur rreziqet vazhdojnë.

Në Lituani, këshilltari kryesor për politikën e jashtme i Presidentit Gitanas Nausėda deklaroi se SHBA-ja dhe Izraeli “kanë vepruar drejt”, duke argumentuar se Irani nuk ka respektuar kërkesat për ndalimin e pasurimit të uraniumit dhe zhvillimit të armëve bërthamore.

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkeviçs, u shpreh se operacioni është në një masë të madhe pasojë e veprimeve të Iranit ndër vite. Ai theksoi se diplomacia mbetet e preferueshme, por mund të funksionojë vetëm nëse Irani heq dorë nga një program ushtarak bërthamor.

Kryeministri çek, Andrej Babiç, deklaroi se programi bërthamor iranian dhe mbështetja për terrorizmin përbëjnë kërcënim për Evropën, duke shtuar se Republika Çeke qëndron përkrah aleatëve të saj dhe shpreson për stabilitet në rajon. Edhe Ministria e Jashtme çeke theksoi se operacioni pasqyron shqetësime afatgjata për politikat e Iranit.

Forbes raportoi gjithashtu se Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të tërhiqet nga mbrojtja e Ngushticës së Hormuzit pasi të përfundojë operacioni, duke kërkuar që vendet e tjera që përdorin këtë korridor strategjik të marrin përgjegjësi për sigurinë e tij. Kjo deklaratë vjen në një moment kur NATO ka refuzuar përfshirjen direkte në konflikt.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi fillimisht veprimet e SHBA-së dhe Izraelit për dobësimin e kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Iranit, por sqaroi se aleanca nuk ka plane për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

Ndërkohë, shumë vende anëtare të NATO-s kanë kritikuar kërkesat e Trump për mbështetje, ndërsa disa liderë evropianë kanë vënë në dyshim përputhshmërinë e operacionit me të drejtën ndërkombëtare. Liderë si ai i Gjermanisë, Luksemburgut dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë theksuar se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe nuk duhet të përfshihet në këtë konflikt.

Shumica e vendeve të tjera kanë mbajtur qëndrime të kujdesshme, duke bërë thirrje për ulje tensionesh dhe zgjidhje diplomatike, ndërsa disa kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre nga SHBA-ja pa dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë për operacionin. /Përshtati Pamfleti/

 

nato shqiperia shba irani

Lini një Përgjigje