TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Mars 2026, 18:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 18:00

Në këtë Edicion Informativ ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore dëri në këtë orë të ditës:

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnitorët e karburanteve, në një moment rritjeje të çmimeve për shkak të tensioneve ndërkombëtare. Rama theksoi se rritja në vend do të jetë e moderuar dhe përjashtoi heqjen e taksës së qarkullimit, duke kërkuar nga kompanitë të ulin normat e fitimit për të mos rënduar qytetarët.

Në frontin e drejtësisë, GJKKO vendosi kalimin për gjykim të dosjes “Meta-Kryemadhi”, një nga çështjet më të ndjeshme politike. Gjyqtarja Gjoka rrëzoi kërkesat e të pandehurve, ndërsa reagimet nga ish-zyrtarët kanë qenë të menjëhershme.
Po ashtu, SPAK ka dërguar për gjykim ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, bashkë me disa persona të tjerë.

Një tjetër zhvillim vjen nga Gjykata Kushtetuese, e cila refuzoi shqyrtimin e çështjes së Fredi Beleri. Ky i fundit reagoi ashpër, duke deklaruar se nuk pret drejtësi nga institucionet shqiptare dhe se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Në ekonomi, të dhënat tregojnë se inflacioni në Shqipëri sipas standardeve të BE-së ka pësuar një rritje të lehtë në muajin shkurt, duke qëndruar mbi mesataren europiane, çka reflekton presionet e vazhdueshme mbi çmimet dhe fuqinë blerëse.

Jashtë vendit, një tragjedi e rëndë ndodhi në Vjenë, ku katër shqiptarë humbën jetën pas shembjes së një skele ndërtimi. Viktimat ishin nga Kosova dhe kryeministri Albin Kurti shprehu ngushëllime, duke e cilësuar ngjarjen tronditëse.

Ndërkohë, situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm. SHBA-të kanë goditur baza iraniane në ngushticën e Hormuzit, ndërsa raportimet flasin për eliminimin e një figure të lartë të inteligjencës iraniane, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë rajonal.

Në nivel europian, mbi 20 organizata i kanë bërë thirrje institucioneve të BE-së të marrin masa ndaj ''Google'', duke e akuzuar për shkelje të Aktit për Tregjet Digjitale dhe kërkuar vendosjen e gjobave.

Në sport, FSHF ka rikthyer në vëmendje golat e shënuar ndaj Polonisë në shtator 2023, në prag të përballjes së rëndësishme “play-off” për Botërorin 2026, duke rritur pritshmëritë e tifozëve shqiptarë.

Lini një Përgjigje