Moti i keq ka 'mbërthyer' vendin, duke shkaktuar situata problematike në disa qytete dhe akse rrugore.
Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të në qarkullimin e automjeteve.
Bëhet me dije se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut.
Problematike ishte edhe rruga e kombit, si pasojë e reshjeve të shiut dhe ulja nën zero e temperaturave.
Për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore, ku janë përfshirë rreth 15 automjete dhe 6 persona mbetën të lënduar.
Gjithashtu Pogradeci dhe Korça u mbuluan nga dëbora. Reshje pati edhe në zonën e Qafë Thanës, ku u krijua vështirësi në qarkullimin dhe radhë kilometrike.
Edhe në aksin Prrenjas-Elbasan prej disa orësh qindra automjete kanë mbetur të bllokuar në trafik.
Ndërkohë, Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit, po përballet me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin më të vështirë.
Sakaq, autoritetet u kërkojnë qytetarëve të tregojnë kujdes me lëvizjen e mjeteve dhe të pajisen me zinxhirë e goma dimri.
Lëvizja në Qarkun e Shkodrës është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Ndërkohë problemet janë evidentuar në aksin nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut.
Gjithashtu në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.
Njoftimi i plotë
Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut. Nga informacionet e fundit të administruara nga strukturat operacionale në terren informohemi se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht.
Aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet probleme për shkak të ngricave të shumta, disa automjete janë kthyer në fshatin Tamare. Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) ka lëshuar një njoftim për parashikimin e rrezikut nga përmbytjet, duke paralajmëruar qytetarët për reshje intensive dhe situatë të vështirë në disa zona të vendit.
Sipas IGJEO, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.
Në zonat urbane të këtyre mund të shfaqen gjithashtu probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Parashikimi i IGJEO për periudhën 3–7 janar 2026 tregon se reshjet intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit, do të shkaktojnë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Temperatura për 3 janar:
Bregdeti: 10–16 °C
Vendet e ulëta: 7–15 °C
Vendet malore: 3–11 °C
Era: Sot dhe nesër era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet.
IGJEO u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë e tyre.
Lini një Përgjigje