
Qarku Shkodër po përballet me reshje dëbore kryesisht në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut. Prefekti i Qarkut Shkodër bën me dije se situata po ndiqet vazhdimisht nga strukturat përgjegjëse në terren dhe deri më tani nuk raportohen probleme serioze në qarkullimin rrugor. Megjithatë, për shkak të pranisë së dëborës dhe ngricave në disa akse, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka shtuar patrullimet në akset me fluks të lartë të lëvizjes, veçanërisht ku janë konstatuar reshje dëbore dhe ngrica. Policia Rrugore apelon drejtuesit e automjeteve të pajisen me goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur aksidentet.
Në aksin Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse janë në terren dhe po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse në disa segmente rruga paraqitet me ngrica. Në Qafë Thore, trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm, por qarkullimi vijon pa probleme. Reshje dëbore raportohen edhe në Bashkinë Malësi e Madhe (rreth 3 cm në Koplik), Bashkinë Fushë-Arrëz (5–8 cm) dhe Bashkinë Pukë (rreth 5 cm), ku rrugët janë të hapura dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Paralelisht, autoritetet kanë dalë me njoftim për kushte të përkeqësuara hidrometeorologjike detare gjatë periudhës 2–7 janar 2026. Sipas parashikimeve, era në drejtimin jug-jugperëndim pritet të arrijë forcën 5–6 ballë, me shpejtësi 10–15 m/s dhe dallgë nga 1 deri në 1.5 metra. Për këtë arsye, nga ora 06:00 e datës 2 janar deri në orën 06:00 të datës 7 janar, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe e mjeteve të peshkimit, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës.
Drejtuesit e mjeteve lundruese dhe anijeve të peshkimit janë udhëzuar të marrin në konsideratë kushtet e përkeqësuara dhe të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve dhe gatishmërinë e ekuipazheve. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Përmirësimi i kushteve pritet pas orës 06:00 të datës 7 janar 2026.
Lini një Përgjigje