I gjithë vendi është përfshirë nga stuhia këtë të shtunë, me era të forta dhe reshje të dendura në disa qarqe.
Në Tiranë, Durrës, Vlorë e Lezhë raportohet për përmbytje e dëme materiale si pasojë e erërave të forta.
Në kryeqytet, përveç dëmeve në biznese, dy persona janë paraqitur në spital me dëmtime në fytyrë për shkak të stuhisë. Një prej tyre mësohet se është dëmtuar nga një xham.
Ndërsa në zonën e Zall Bastarit mësohet se era rrëzoi telat e korrentit në rrugë.
Reshjet e dendura të shiut, shkaktuan vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore në Durrës. Po ashtu, mësohet se është pezulluar përkohësisht lundrimi i anijeve të vogla, deri në përmirësimin e situatës.
Në Kavajë, një plep u rrëzua në rrugë për shkak të erës së fortë duke paralizuar trafikun.
Probleme nga era e fortë e reshjet e dendura raportohen edhe në Vlorë.

Meteorologët kanë parashikuar reshje të dendura kryesisht në qarkun e Durrësit dhe Lezhës. Ndërsa, në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata, ndërsa temperaturat nuk do t’i kalojnë 28 gradë Celsius.
Nisur nga këto parashikime, Bashkitë Vlorë dhe Tiranë u kanë bërë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos parkojnë mjetet në zonat që kanë rrezik për përmbytje.
Për shkak të përkeqësimit të motit, edhe Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të mos udhëtojnë me shpejtësi.
Lini një Përgjigje