Niveli i Vjosës ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit.
Moti i keq me reshje të dendura shiu që kanë përfshirë vendin tonë që prej ditës së djeshme kanë shkaktuar një situatë mjaft problematike.
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Ura e Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit. Sipas të dhënave të fundit, niveli i Vjosës ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit.
Autoritetet kanë njoftuar të gjitha familjet që jetojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të jenë të vëmendshme ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Ndërkohë, Gjirokastra po përballet me përmbytje masive, përrenj dhe lumenj të rrëmbyeshëm që kanë dalë nga shtrati.
Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme të qytetit ‘18 shtatori’, ndërsa niveli i ujit është rritur shumë edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.
Mësohet se një djalë 23 vjeç është shpëtuar mrekullisht nga mbytja në Bllokun e Furrave, lagjja Punëtori. Punonjësit zjarrfikës arritën që ta nxirrnin nga rrjedha e ujërave të rrëmbyeshëm, duke e shpëtuar nga vdekja.
Situata në atë zonë po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës.
Reshjet e shiut kanë sjellë problematika edhe në rrugën Kotë-Sevaster në fshatin Vajzë, ku rruga ka pësuar një shkarje dhe aktualisht është e bllokuar.
Gjithashtu janë dëmtuar edhe dy banesa. Fatmirësisht, banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime. Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në këtë segment dhe të përdorin rrugë alternative.
Qeveri e deshtuar, e gerryer nga llumi korrupsionit. Totalisht e paafte dhe pas 13 vitesh ne pushtet te shmang keto katastrofa. Cdo gje kaos.