Për çfarë i ka shpenzuar Niko Peleshi paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Ministria e Mbrojtjes ka marrë një goditje të fortë nga “Balkan Defense Monitor”, një projekt i krijuar me mbështetjen e Kanadasë për të monitoruar angazhimin ushtarak të vendeve të rajonit.
Së fundmi është publikuar raporti për viti 2024 dhe jepen detaje mbi stërvitje ushtarake, por dhe shpenzimet apo transparencën e secilit shtet, me fokus mbrojtjen. Raporti është shumë kritik kur vjen te Shqipëria, pasi është vendi më pak transparent.
Sipas raportit të siguruar nga “Pamfleti", Ministria e Brendshme shqiptare fsheh gjithçka, duke mos e ditur askush se ku shkojë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Vetë monitoruesit e raportit kanë kërkuar të dhëna në kuadër të vëzhgimit dhe MM ka refuzuar.
Është dashur angazhimi i Komisionerit për Informimin Publik që Niko Peleshi të nxjerrë disa të dhëna, por dhe ato kanë qenë minimale. Po ashtu në raport thuhet se Shqipëri ka dhënë mbështetje dhe për Ukrainë, por mbahet sekret gjithçka.
Pjesë nga raporti
· Shqipëria ka refuzuar fillimisht të përgjigjet, por pas një seance dëgjimore të iniciuar nga Komisioneri për Informimin Publik dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, MM-ja shqiptare dha disa nga të dhënat e kërkuara. E gjithë kjo ka kontribuar në vlerësimin se Shqipëria mbetet vendi më pak transparent në rajon.
· Kroacia ka buxhetin më transparent dhe më të zbërthyer në rajon, dhe është i vetmi që i referohet projekteve specifike të prokurimit, ndërsa buxheti shqiptar është më pak transparenti, me vetëm shtatë kategori të përgjithshme: Planifikim, Menaxhimi dhe Administrim, Forcat Luftarake, Arsimi Ushtarak, Mbështetja Luftarake, Mbështetja Shëndetësore, Mbështetja Sociale dhe Emergjencat Civile. Këto programe buxhetore nuk janë të ndara dhe shuma e shpenzimeve të planifikuara për kategori të tilla si personeli apo armët dhe pajisjet nuk mund të nxirret nga buxheti. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes publikon raportet vjetore të monitorimit për zbatimin e buxhetit, të cilat janë më të detajuara dhe përmbajnë referenca për projekte specifike në kuadër të shtatë programeve buxhetore, së bashku me shpenzimet për projektet e përmendura. Duke qenë se këto raporte publikohen në mënyrë retroaktive, me të fundit të publikuar në gusht 2023, niveli i transparencës në lidhje me buxhetin aktual dhe atë të ardhshëm është ende i ulët.
· Meqenëse Ministria e Mbrojtjes refuzoi t'i përgjigjet kërkesës për informim të ekipit hulumtues e cila përfshinte një pyetje në lidhje me donacionet për Ministrinë e Mbrojtjes, nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me donacionet e marra gjatë periudhës së monitorimit. Faqja e internetit e Ministrisë së Mbrojtjes gjithashtu dështoi të ofrojë më shumë informacion mbi këtë çështje, kështu që ekipi hulumtues u mbështet në kërkimin me burim të hapur. Shqipëria ka raportuar gjithashtu dërgimin e ndihmës financiare dhe ushtarake në Ukrainë, por lënda dhe vlera e donacionit ushtarak nuk bëhet e ditur.
· MM-ja shqiptare refuzoi të jepte të dhëna për bashkëpunimin e saj ushtarak ndërkombëtar, ndaj hulumtimi u fokusua në burime publike. Vështrimi rajonal është se SHBA-ja dhe BE-ja ishin donatorët ushtarakë dominues për vendet e Ballkanit Perëndimor
· MM-ja shqiptare nuk dha të dhëna për numrin e trupave shqiptare në misionet ndërkombëtare të paqes, prandaj kërkimet u mbështetën në burime të hapura. Në ato raste kur nuk ishte e mundur të përcaktohej numri i saktë i trupave, supozohej se numri ishte i njëjtë me atë të vitit 2022. /Pamfleti
Lini një Përgjigje