
Analisti Artur Zheji ka komentuar arrestimet e SPAK, teksa u shpreh se nuk po kursehet aspak. Ai paralajmëroi se gjatë muajit prill do të ketë sërish çështje të “nxehta” që do të trajtohen nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit.
“Ka njerëz që kanë një opinion që SPAK akoma nuk e ka thënë fjalën e vet dhe do të godasë me predha të rënda. Edhe ndonjëri që është jashtë Shqipërisë, apo edhe ata që janë larguar nga Shqipëria SPAK sipas informacioneve të mia po bën marrëveshje për riatdhesimin e tyre. E gjithë kjo për opozitën është konveniente. SPAK-u po godet 360 gradë. Muaji prill do të jetë shumë domethënës dhe do të ketë ‘vula’ të tjera, ‘vula e Rithemelimit’ nuk do jetë më lajm. Por nuk do të doja të isha në lëkurën e atyre që kanë djersë të forta”, tha Zheji për “Abc News”.
Zheji ka komentuar edhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha në ballkonin e banesës. Analisti tha se i gjithë qëllimi i Berishës është t’i japë një mesazh të qartë Bardhit se është ai kryetari.
“Unë po pres të shoh edhe çështjen e Komisioneve. Ndërsa skenografia e daljes së Berishës në dritare, është për t’i thënë Gaz Bardhit dhe të tjerëve se vërtet ju futa në grup, por unë jam kryetari. I kujton të tjerëve që jam mirë me shëndet dhe mirë me pushtet, “ju jeni lojtar, luani tek oborri i shkollës, por drejtori i shkollës jam unë”. Pra doktori mendoj që del për këtë mision. Nëse këta i gënjen mendja se doktori nuk është mirë, e kanë shumë gabim sepse “populli thotë ‘mbreti nuk është kurrë mirënjohës, por vetëm të shpërblen”, u shpreh analisti.
Lini një Përgjigje