
Nga qelia, Ilir Meta ka mobilizuar partinë në një protestë kundër SPAK teksa forcat e policisë janë në gatishmëri pranë Prokurorisë së Posaçme.
Në banerin kryesor që mbajnë në duar zv.Presidentja e PL-së Erisa Xhixho, Sekretari i kësaj partie Tedi Blushi e përfaqësues të tjerë shkruhet: “Jo drejtësi me regji!”.
Në protestë ka edhe parulla të tjera kundër kreut të SPAK Altin Dumani.
Ndërkohë një numër i konsiderueshëm forcash policie kanë krijuar kordon para Prokurorisë së Posaçme. Kjo si masë mbrojtëse në rast incidenti nga ana e protestuesve.
Ndaj Metës është caktuar masa arrest me burg, në kuadër të hetimit të SPAK për lobimin e LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Avokati Genc Gjokutaj pritet që të depozitojë kallëzim ndaj policëve që prangosën kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kjo është protesta e parë që Partia e Lirisë organizuan pas arrestimit të liderit të saj më 21 tetor.
Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Policia e Shtetit ka thënë se e ka zbatuar rregulloren kur e ka arrestuar ish-presidentin Meta.
Sipas këtij institucioni, kërkesa për arrestim është bërë nga SPAK-u.
Lini një Përgjigje