
Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike dhe rolit të lidershipit të saj, duke theksuar se mungesa e garës dhe e bashkëpunimit po dëmton opozitën.
Ai është shprehur kundër idesë që një kryetar partie të garojë i vetëm, duke theksuar nevojën për konkurrencë të brendshme.
“Asnjëherë nuk ka qenë koha që një kryetar të jetë i vetëm, gjithmonë duhet të ketë konkurrentë”, deklaroi Lubonja për "News 24".
Sipas tij, opozita duhet të ndërtojë një bashkim më të gjerë për të përballuar situatën politike.
“Ka ardhur koha që opozita të krijojë një bashkësi të madhe për rivendosje të rregullave dhe demokracisë. Pra PD dhe gjithë të tjerat të bashkohen e të krijojnë një front”, u shpreh analisti.
Lubonja kritikoi drejtpërdrejt edhe drejtimin e Partisë Demokratike, duke e parë atë si një faktor përçarjeje.
“Në këtë aspekt unë shoh se Berisha është problem, në kuptimin se nuk ka punuar sa duhet për të bashkuar edhe këta të tjerët. Vetëpërjashtimi më duket akoma më keq, përçarje e partisë”, tha ai.
Ai shtoi se edhe partitë e tjera opozitare duhet të përfshihen në një bashkëpunim më të gjerë, pavarësisht dallimeve.
“Edhe partitë e tjera që kanë lindur kanë lindur kundër PD... a ke mundësi t’i bashkosh të gjithë, të krijosh një bashkim, ky duhet të ishte dimensioni i PD-së”, deklaroi Lubonja.
Ai ngriti pikëpyetje për mungesën e figurave të reja dhe alternativave brenda opozitës. “Pse nuk dalin njerëz tjetër më të besuar të paktën?”, u shpreh Lubonja.
Gjithashtu, Lubonja propozoi ndryshime në statutet e partive politike, duke vendosur kufizime për mandatet e kryetarëve.
“Në ato statute duhet të jetë një kryetar të mos rrijë më shumë se 8 vite kryetar, nuk duhet të rrijë”, tha ai.
Lini një Përgjigje