TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Prill 2026, 12:22

Laboratori i kokainës, dy të penduar zbërthejnë skemën për SPAK; çfarë pritet për dosjen e Frakullës

Shkruar nga Pamfleti
Laboratori i kokainës, dy të penduar zbërthejnë skemën
Laboratori i drogës në Frakull

SPAK ka siguruar dëshmitë e plota të dy personave të arrestuar lidhur me atë që njihet si dosja e “Laboratorit të Frakullës”, duke shpresuar kështu në zbardhjen e plotë të të gjithë rrjetit të kokainës që vepronte në Shqipëri.

Më konkretisht bëhet fjalë për laboratorin e kokainës që u zbulua në Frakull të Fierit në fund të vitit 2022, në të cilin arrihej të ndahej kokaina nga plehu kimik, me të cilën kamuflohej, për të kaluar pa u zbuluar.

Në atë kohë, operacioni zbuloi mbi 480 kg kokainë, të kamufluar në mbi 400 thasë me pleh kimik, ndërsa procesi për ndarjen e drogës nga plehu kimik kryhej nga një shtetas kolumbian, i specializuar në një process të tillë kimik.

Nga raportimet mësohet se dy të penduarit e SPAK janë një shqiptar dhe një shtetas i huaj, të arrestuar lidhur me këtë dosje. Ata kanë dhënë dëshmitë e tyre, që po verifikohen hap pas hapi nga SPAK, për të parë nëse dëshmitë përputhen ose jo me rrethanat.

Referuar të dhënave që kanë zbuluar për hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK dy të penduarit, nuk përjashtohet mundësia e një tjetër operacioni që mund të çojë në pranga të tjerë personazhe, të panjohur deri më sot, që mund të jenë pjesë e rrjetit të drogës.

Në grupin kriminal të Frakullës bënte pjesë edh eish-kryetari i komunës, Viktor Çervanaki, vëllai dhe djali i tij.

Referuar raportimeve të kohës, kolumbiani që arriti t’I shpëtojë operacionit ishte Zamir Rodrigez, që dyshohet se ishte edhe eksperti kimist që realizonte ndarjen e kokainës nga plehu kimik.

Policia humbi gjurmët e kolumbianit në Vorë dhe nga ai moment ka mbetur në listën e personave të shpallur në kërkim.

Nga operacioni i SPAK i zhvilluar mbi tre vjet më parë, u arrestuan 10 persona. Referuar hetimeve të SPAK, Nikolin Gjolena, i njohur Niko Lushnjari, cilësohet si personi kyç i trafikimit të kokainës nga Kolumbia në Frakull të madhe të Fierit.

Laboratori i drogës në Fier u zbulua pasditen e 24 nëntorit 2022 , ku u sekuestrua edhe 485.5 kg kokainë, që nëse do të dilte në treg do të kushtonte 40 mln euro.

Laboratori u zbulua, përmes një operacioni të DEA-s Amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik u porosit nga vëllai i ish-kryekomunarit të Frakullës, Viktor Çervanaku. Droga  u nis nga Kolumbia në maj dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator. Në atë kohë u arrestua Zenel Çervenaku bashkë me 9 të tjerë, të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal”, e ndërsa 1 tjetër është në kërkim. Për laboratorin e kokainës u arrestuan, Viktor Çervenaku, Zenel Çervenaku, Denilson Çervinaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni, Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi, Marildo Rona. Të gjithë këto persona janë dënuar nga GJKKO me disa vite burg, ndërsa SPAK ka zhvilluar edhe hetimin pasuror ndaj tyre.

Rreth dy muaj më parë, SPAK njoftoi edhe 5 masa arresti të tjera të miratuara nga GJKKO-ja, “arrest me burg”, prej të cilave 3 u ekzekutuan dhe 2 persona u shpallën në kërkim, në kuadër të hetimeve për laboratorin e Frakullës.  Të akuzuarit e fundit janë Kevin (Arjan) Margjoni, Durim Keçi, Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola. Dy të parët, Margjoni dhe Keçi, janë shpallur në kërkim, kurse të tjerët janë të ndaluar. SPAK tha se të pestë akuzohen për një tjetër episod trafiku në kuadër të organizatës kriminale me 15 persona, 10 prej të cilëve të dënuar më parë nga GJKKO.

 

 

frakull spak te penduar

Lini një Përgjigje