Jam lodhur nga emigrantët e paligjshëm që pushtojnë tokën time dhe nga Britania që u ofron përfitime… po i marr gjërat në dorë vetë
Duke tundur armën e tij të gjahut, fermeri 71-vjeçar Chris Gadsden thotë se është aq i lodhur nga emigrantët e paligjshëm që hyjnë në tokën e tij, sa ka vendosur t’i marrë vetë masat.
Stërgjyshi, i quajtur “Farminator” për qasjen e tij të ashpër, prej kohësh përballet me persona që fshihen në kamionë për të kaluar Kanalin dhe më pas largohen kur këta ndalojnë në zonat e shërbimit pranë shtëpisë së tij.
Javën e kaluar, Chris gjeti gjashtë irakianë në pronën e tij, hera e parë që ai ka hasur persona nga ky vend i Lindjes së Mesme.
Por ai ka frikë se do të ketë më shumë raste, ndërsa familjet largohen nga tensionet e vazhdueshme në Iranin fqinj.
Çështja e emigracionit është një problem që ka vazhduar për dekada.
Në vitin 2015, u raportua se, pavarësisht se ndodhet më shumë se 160 kilometra larg bregdetit dhe në zemër të zonës rurale të Bedfordshire, Chris dhe qentë e tij ndeshnin rregullisht azilkërkues që hidhnin nga kamionët në Toddington Services.
Kjo është shpesh ndalesa e parë për shoferët që udhëtojnë drejt veriut në autostradën M1, pasi mbërrijnë në portet britanike, përfshirë Doverin.
Në të kaluarën, Chris ka reaguar në mënyrë të ashpër në momente paniku, duke nxjerrë armën dhe madje duke lidhur persona derisa mbërrinte policia për t’i arrestuar. Ndonjëherë ai i dërgonte vetë tek policia me furgonin e tij.
Tani, ndërsa një valë e re emigrantësh kalon në fermën e tij prej 15 akrash, ai thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rifillojë patrullimin i vetëm, edhe pse mosha nuk është më në favorin e tij.
“Unë nuk jam më i ri”, tregon ai, duke shtuar “kam bërë një ndërhyrje në gju, pres për tjetrën dhe kam gjithashtu tension të lartë. Por nëse nuk bëj diçka, kush do ta bëjë? Qeveria qartësisht nuk do të veprojë, kështu që duhet të ndërhyj unë. Situata është jashtë kontrollit. Unë thjesht e shoh si kontributin tim. Po bëj çfarë mundem për të ndihmuar vendin. Nuk po bëhem më i ri, por kjo është shumë e rëndësishme".
‘Farminator’ është rikthyer”
Prona e Chris, ku ai jeton me bashkëshorten Lianne, 67 vjeç, kufizohet drejtpërdrejt me parkimin e kamionëve në Toddington Services. Babai i katër fëmijëve ka qenë në përballje me emigrantët që nga viti 1987, kur bleu pronën. Por Chris, i cili ka hasur gjithashtu persona nga Somalia, Afganistani, Siria, Shqipëria dhe Vietnami, thotë se nuk e shijon këtë qasje të ashpër.
Ai këmbëngul se e bën vetëm për të mbrojtur familjen dhe është i gatshëm të përdorë sërish armën.
“Nuk më pëlqeu të armatosesha më parë, por nëse dikush ka hyrë në mënyrë të paligjshme në vend me kamion, nuk e di çfarë qëllimesh ka apo çfarë mund të ketë me vete. Dhe ata janë gjithmonë burra të rinj. E vetmja herë që kam parë një grua ishte me një grup nga Somalia, vite më parë. Është çështje mbrojtjeje për familjen time dhe do të bëja të njëjtën gjë përsëri”, tregon ai për The Sun.
Chris ka gjetur gjithashtu rroba dhe furnizime të fshehura në tokën e tij, ndoshta të vendosura paraprakisht nga rrjete kontrabande. Në vetëm një javë në vitin 2015, ai ndihmoi policinë të kapte më shumë se 30 persona të dyshuar nga Somalia dhe gjashtë vietnamezë që hynë në fermën e tij.

Që atëherë, ai thotë se deri në 300 emigrantë kanë kaluar nëpër tokën e tij. Madje, vitin e kaluar, në 30 raste të ndryshme, ai pa grupe deri në dhjetë persona, por nuk mundi të vepronte pasi ishte në rikuperim nga operacioni në gju dhe mendoi se policia do t’i kapte.
Megjithatë, ai mendon se policia nuk po e trajton në mënyrë të mjaftueshme problemin, ndaj ndihet i detyruar të ndërhyjë vetë.
“Situata po përkeqësohet. Javën e kaluar ishte hera e parë që hasa emigrantë nga Iraku. Më duket se kjo do të përshkallëzohet, sidomos me atë që po ndodh aktualisht në Lindjen e Mesme. Fjala është përhapur në komunitetet e emigrantëve në Francë dhe Gjermani se Anglia është vend i lehtë, ku ofrohen përfitime, strehim dhe ushqim falas. Kjo është arsyeja pse vijnë. Nuk është ideale dhe nuk mund të vrapoj më nëpër fusha si dikur. Dhe për fat të keq, qentë me të cilët dikur patrulloja dhe që mund të gjenin njerëz, kanë ngordhur. Por do të jem vigjilent. Po e bëj këtë për fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e mi, që të kenë një të ardhme. Sistemi është plotësisht i prishur. Të them të drejtën, më vjen të shkoj në Parlament dhe t’u tregoj çfarë po ndodh në vende si ky”, shprehet ‘farminatori’.
Ngjarja më e fundit ndodhi gjatë fundjavës së Pashkëve.
“U kthyem në shtëpi dhe pamë helikopterin e policisë mbi zonën e shërbimit, kështu që e kuptuam se diçka po ndodhte. Pastaj policia erdhi te porta e fermës. Djali im i lejoi të hynin dhe shkoi me oficerët për të gjetur emigrantët, që ndodheshin në një cep të fushës. Ishin gjashtë të rinj, 4 irakianë, dy në të 20-at dhe dy që dukeshin rreth 16 vjeç. Dy të tjerët u larguan, nuk e di çfarë ndodhi me ta.
Policia i solli në fermë dhe ata qëndruan të ulur në bar, shumë të qetë, duke pretenduar se nuk flisnin anglisht. Kishin telefona dhe euro, si dhe çokollata dhe ëmbëlsira. Është qartësisht e organizuar mirë.
Por erdhën pesë ose gjashtë makina policie dhe dy ambulance, me një kosto të madhe për taksapaguesit. Pastaj do të dërgohen në hotele ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre”, tregon ai.

Ai shton se emigrantët shpesh trajtohen më mirë se qytetarët britanikë.
“Ka gjasa që i çuan në spitalin Luton and Dunstable dhe i futën menjëherë për kontroll, përpara njerëzve që prisnin. Unë shkova aty kohët e fundit dhe prita nga ora 20:00 deri në 03:30 të mëngjesit për t’u parë. Pastaj prita dy ditë për një shtrat. Çfarë është e drejtë në këtë?”
Chris beson se Mbretëria e Bashkuar duhet të rishikojë prioritetet.
“Kam punuar gjithë jetën dhe nuk jam dakord me këtë. Pensioni im është i dobët, na kanë ulur ndihmën për ngrohje në dimër. Është turp. Duhej të bëja një operacion këtë javë, por u anulua për shkak të grevës së mjekëve. Gjithçka duket kaq e padrejtë”, shprehet ‘farminatori’.
Megjithatë, ai thotë se u jep ndihmë bazë emigrantëve derisa të mbërrijnë autoritetet.
“U dhashë ujë të rinjve irakianë. Në fund të fundit, jemi të gjithë njerëz. Por nëse ke hyrë ilegalisht, nuk je mysafiri ynë. Duhet të kthehesh në vendin tënd. Nëse ke nevojë për azil, duhet ta bësh në mënyrën e duhur, jo kështu.”
Policia e Bedfordshire konfirmoi se gjashtë burra janë arrestuar në lidhje me incidentin. Drejtuesi i kamionit u ndalua rreth 70 kilometra më larg, në Watford Gap Services, dhe më pas u lirua me kusht.
Personat e arrestuar janë dorëzuar tek autoritetet e emigracionit.
Ministria e Brendshme nuk specifikon numrin e emigrantëve që hyjnë me kamionë, por publikon të dhëna për “rastet e zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar”, pra kur persona kapen në automjete në zona shërbimi ose në portin e Doverit.
Hyrjet në portet britanike kanë rënë me 83% në tetë vitet deri në dhjetor 2025, në 181 persona. Por gjatë së njëjtës periudhë, varkat e vogla janë bërë mënyra kryesore e hyrjes së paligjshme në Britani.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi: “ne kemi premtuar të rrisim largimet dhe deportimet e emigrantëve të paligjshëm dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar kufijtë. Gati 60,000 emigrantë të paligjshëm dhe shtetas të huaj me precedent penal janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar që nga zgjedhjet e vitit 2024, një rritje prej 31% krahasuar me 19 muajt paraardhës.” /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje