TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Prill 2026, 11:56

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Shtohen rastet e “smishing”/Alarm për SMS mashtruese në emër të Postës Shqiptare

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit paralajmëroi më 6 prill qytetarët të ishin të kujdesshëm ndaj mesazheve mashtruese që po qarkullojnë masivisht në Shqipëri nëpërmjet SMS-ve dhe që paraqiten si njoftime të Postës Shqiptare për pako postare të padorëzuara.

Vetë Posta Shqiptare reagoi lidhur me këto mesazhe me një deklaratë zyrtare, ku u shpreh se këto SMS nuk lidhen në asnjë mënyrë me shërbimet zyrtare të postës.

“Posta Shqiptare informon opinionin publik se ditët e fundit po qarkullojnë mesazhe mashtruese (SMS) që përdorin në mënyrë të paligjshme emrin e institucionit tonë, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe përfitimin e të dhënave të tyre personale apo bankare”, shkruan njoftimi i Postës Shqiptare.

Kjo nuk është hera e parë që institucioni i Postës Shqiptare bëhet shënjestër e sulmeve dhe fushatave të tilla mashtruese me SMS të rreme, të cilat janë përsëritur disa herë gjatë viteve të fundit.

Këto sulme njihen ndryshe me termin “smishing” dhe konsistojnë në tentativa që synojnë, nëpërmjet mesazheve të formuluara si të besueshme, të “peshkojnë” qytetarët dhe të penetrojnë në të dhënat e tyre sensitive nëpërmjet linqeve të bashkëngjitura në mesazh.

Pasi qytetarët klikojnë në këto linqe, atyre u kërkohet të vendosin të dhënat e kartës bankare ose të dhënat e tyre personale.

Sipas ekspertëve të sferës digjitale, zakonisht këto sulme janë dashakeqe dhe vijnë nga aktorë të paidentifikuar, të cilët kanë qëllime përfitimi financiar ose për vjedhjen e identitetit të dikujt.

Prokurori i SPAK zbulon mashtrimet/ Si call center-at kriminalë gënjejnë shqiptarët dhe europianët

Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah funksionimin e dy llojeve të call center-ave, disa prej të cilëve operojnë në kufirin mes aktivitetit të ligjshëm dhe atij kriminal.

Në një intervistë për “Exclusive”, prokurori i posaçëm Ened Nakuçi shpjegoi se një pjesë e këtyre strukturave janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese, por paralelisht përfshihen edhe në mashtrime.

“Në eksperiencën e punës tonë rezulton se një pjesë e tyre kanë qenë të ligjshme dhe kanë qenë të regjistruara pranë zyrave përkatëse, por bashkë me të kryejnë edhe mashtrimin kompjuterik të shtetasve evropianë. Tipologjia tjetër pa u regjistruar në organet tatimore, pa u raportuar”, u shpreh ai.

Sipas hetimeve, në këto rrjete janë përfshirë shtetas nga vende të ndryshme, përfshirë shqiptarë, izraelitë, italianë dhe ukrainas, duke treguar natyrën ndërkombëtare të aktivitetit.

Eksperti i teknologjisë së informacionit, Florenc Hidri, thekson se bëhet fjalë për struktura të organizuara kriminale dhe jo thjesht për call center-a tradicionalë.

"Shpërthimet nga gazi nuk janë rastësi"/ Ekspertët: Bombolat e pasigurta po rrezikojnë jetët!

Ngjarje si shpërthimi i ndodhur disa ditë më parë në një biznes në Lezhë, i cili u dëmtua rëndë nga gazi, nuk përbëjnë raste të izoluara. Përdorimi i gazit të lëngshëm për ngrohje apo gatim vijon të mbetet një burim rreziku nëse nuk respektohen rregullat e sigurisë.

Ndryshe nga zjarret e zakonshme, incidentet e shkaktuara nga rrjedhjet e gazit përshkallëzohen në pak sekonda dhe shpesh kanë pasoja të rënda.

Eksperti i sigurisë, Shkëlqim Goxhaj, thekson rëndësinë e përdorimit të pajisjeve të sigurta dhe shmangien e praktikave të rrezikshme.

Ai paralajmëron veçanërisht për bombolat portokalli: “Ato janë bombola kampingu dhe nuk duhet të rimbushen sepse nuk ofrojnë siguri”.

Në rastin e bizneseve, depozitimi i gazit duhet të bëhet jashtë ambienteve dhe në distancë të sigurt. Gjithashtu, ajrosja e ambienteve para nisjes së punës është një hap thelbësor për të shmangur rreziqet.

Megjithatë, krahasuar me vitet e mëparshme, numri i incidenteve të shkaktuara nga gazi ka pësuar rënie, çka tregon një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e sigurt të tij.

Zgjedhjet në Hungari/Kokalari: Vetëm unë e mund Edi Ramën, jam si Magyar

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ka shprehur dëshirën për të garuar për postin e kreut të PD-së, por nuk ka marrë ende një përgjigje nga kjo parti nëse do të lejohet ose jo të hyjë në garë, ka vendosur një paralelizëm mes vetes së saj dhe Peter Magyar, drejtuesit të Tisza, partisë që fitoi zgjedhjet në Hungari.

Kokalari shprehet se ajo është e vetmja që mund të fitojë në zgjedhje dhe të mundë si Edi Ramën ashtu edhe Sali Berishën. Ajo shkruan në një postim në rrjetet sociale, se nuk ka kursyer askënd kur bëhet fjalë për ekspozimin e korrupsionit, përfshirë edhe ata që dikur i kam pasur miq në SHBA dhe me të cilët ende po përballem.

Britney Spears shtrohet në qendër rehabilitimi

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

Lini një Përgjigje