
SHBA, BE dhe diplomatë të tjerë kanë kërkuar publikisht që procesi të jetë transparent
Të hënën në orën 10:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mbledhë anëtarët për të shqyrtuar nëse katër kandidatët për drejtimin e SPAK plotësojnë kushtet ligjore për të vijuar garën. Në rend dite do të jetë miratimi i listës me emrat që kalojnë fazën e parë formale. Vetëm pas kësaj, kandidatët do të ftohen për intervista dhe prezantim të platformës përpara KLP-së.
“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT”, njofton zyrtarisht KLP.
Katër emrat në garë janë: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gokaj. Të katër kanë dorëzuar aplikimet dhe vizionin e tyre për drejtimin e SPAK, ndërsa procedura pritet të zgjasë për disa javë. Mandati i Altin Dumanit përfundon më 18 dhjetor dhe beteja për pasuesin është zyrtarisht e hapur.
Por ky proces nuk është thjesht administrativ. Që tani, partnerët ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për përpjekjet e politikës për të ndikuar zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. SHBA, BE dhe diplomatë të tjerë kanë kërkuar publikisht që procesi të jetë transparent, i drejtë dhe i pacenuar nga interesat e ngushta.
“Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar,” – ka deklaruar ambasada amerikane. BE, Gjermania dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë kanë theksuar se ky proces është vendimtar për besimin qytetar dhe rrugën drejt integrimit evropian.
KLP ndodhet përballë një prove të rëndë. Nëse dorëzohet përballë presioneve politike, i gjithë projekti i reformës në drejtësi rrezikon të kthehet në farsë. Nëse reziston dhe zgjedh me integritet, do të japë sinjalin se drejtësia shqiptare mund të jetë realisht e pavarur.
Lini një Përgjigje