
Politika shqiptare ka përgëzuar skuadrën Kombëtare të futbollit për kualifikim historik në ‘Euro 2024’ që pritet të zhvillohet në Gjermani.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj me anë të një postimi nërrjetin social "Facebook", ka falenderuar djemtë e kombëtares për kualifikim e dytë të Shqipërisë.
“Faleminderit kombëtares për emocionet e dhuruara dhe urime për kualifikimin e merituar në Euro 2024”, shkruan Begaj në ‘Facebook’.
“Faleminderit kuqezinjve për këtë dhuratë fantastike”, shkruan kryeministri, Edi Rama në postimin e tij në Facebook të cilin e shoqëron me një foto të ‘grupit E’ ku Shqipëria kryeson me 14 pikë.
Edhe ish kryeministri Berisha ka bërë një falënderim për kombëtaren dhe trajnerin Sylvinho, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, teksa shton se kuqezinjtë shkojnë me dinjitet dhe krenarë për suksese të reja në Gjermani.
“Për së dyti kuqezinjtë bëjnë historinë! Lojë e bukur, barazim me Moldavinë. Kuqezinjtë pas fitoreve të tyre të mrekullueshme shkojnë me dinjitet, krenarë, të sigurt për suksese të reja në Gjermani. Urimet më të përzemërta të gjithë ekipit, yjeve të tij, kapitentit, liderit të tyre Sylvinho, arkitekt i kësaj arritje historike. Urime! #sb”, shkruan Berisha.
“Një kualifikim historik që bën krenar dhe gëzon gjithë kombin shqiptar”, kështu e ka nisur urimin e tij për Kombëtaren, ish-presidenti Ilir Meta, teksa shton se suksese të tjera presin kombëtaren në Gjermani.
“Një kualifikim historik që bën krenar dhe gëzon gjithë kombin shqiptar. Urimet më të përzemërta shqiponjave kuqezi, trajnerit, stafit dhe në veçanti tifozëve të mrekullueshëm për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Jam besimplotë që shkëlqimi dhe entuziazmi i Kuqezinjve tanë do të jetë po aq i jashtëzakonshëm në Kampionatin Europian, kualifikimi në të cilin është plotësisht i merituar”, shkruan Meta në "Facebook".
Lini një Përgjigje