TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Nëntor 2023, 19:08

Çfarë do të prodhojë Censi?, Soko: Do tregojë nivelin ekonomik dhe do të nxjerrë zbuluar qeverinë për apartamentet bosh

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë do të prodhojë Censi?, Soko: Do tregojë nivelin

Censi i popullsisë ka përfunduar një ditë më parë dhe të dhënat e mbledhura do të nisin të përpunohen për të dhënë panoramën e plotë të shoqërisë shqiptare në qershor, atëherë kur pritet raporti përfundimtar. Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se numri i popullsisë është e dhëna më e rëndësishme që do të dalë nga censusi, pasi mbi të ndërtohet çdo plan biznesi.

Do të kemi një panoramë më të qartë të situatës demografike në Shqipëri. Do të shoqërohet me disa të dhëna për situatën ekonomike të përgjithshme. Siç e thashë, ajo që pritet me interes është numri i popullsisë. Kjo ndikon në çdo aspekt të shoqërisë. Do të ketë një panoramë më të qartë të nevojës për arsim dhe ku është përqendruar kjo nevojë. Do të kemi një panoramë të shtrirjes që do të kërkojë investime në arsim. Do të shikojmë bizneset dhe zejet, sepse sot Shqipëria është në krizë zejtarësh. Ajo që është kryesorja mbetet numri i popullsisë. Sa është numri i atyre që jetojnë sot në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme sepse mbi këtë bazohet çdo plan biznesi”, tha ai në “MCN”.

Një e dhënë tjetër që duhet parë me interes, sipas Sokos, është numri i apartamenteve bosh. Ky numër do të japë një ide të qartë se sa është fryrja artificiale e flluskës së ndërtimit. 

Një e dhënë interesante është numri i apartamenteve bosh. Kjo do të na tregojë sa ka qenë fryrja e flluskës së ndërtimit nga blerja e apartamenteve jashtë nevojës për të banuar. Kjo do të tregojë sa ka qenë numri i apartamenteve që kanë kontribuuar në fryrjen e flluskës së ndërtimit. Dikush këto apartamente i përdor si parkim parash. Pra, paratë e pista nuk i mban kesh, por blen një apartament. Jam i interesuar për të parë numrin e apartamenteve bosh. Ka një shifër rreth 40 mijë në të gjithë Shqipërinë. Nëse llogarisim 100 mijë euro mesatarisht për apartament, janë 4 miliardë euro që kanë shërbyer për të fryrë flluskën e ndërtimit. Është një e dhënë me shumë interes. Sepse na tregon sa eficiente kanë qenë organet që japin leje ndërtimi”, tha ai.

Po ashtu, nga censi do të dalë edhe një panoramë më e qartë e gjendjes ekonomike të shqiptarëve.

Shpresoj që nga të dhënat e censusit qeveria të bjerë dakord për heqjen e TVSH për ushqimet. Qeveria është shumë larg nga populli, përsa kohë mendon se 400 mijë lekë të vjetra në muaj janë të mjaftueshme për të jetuar”, vijoi ai.

Ajo që sipas Sokos nuk duhej të përfshihej në anketën e censit është çështja e kombësisë. Kjo për shkak të vulnerabilitetit të një kategorie të shoqërisë ndaj përpjekjeve të vendeve fqinje për të rritur artificialisht shifrat e minoriteteve.

Censet në përgjithësi, sidomos në Ballkan, është përpjekur të përdoren sidomos nga rivalët partnerë fqinjë që të rrisin peshën e vet eventuale. Ka pasur gjithmonë debate, mbaj mend edhe në 2011. Ka pasur debat për fenë, për kombësinë. Feja është variabël, ndryshon. Vendndodhja ndryshon, sot banon këtu, nesër diku tjetër. Ato që verifikon një cens, janë variabla. Kombësia nuk është variabël. Nëse ti e lë variabël, një pjesë e mirë e pjesës së poshtme të shoqërisë, për ato 200-300 euro janë gati të ndryshojnë kombësinë. Kjo është një nismë e rrezikshme. Kombësia nuk duhet lënë në dorë të qytetarit”, përfundoi ai. 

Lini një Përgjigje