
Sipas të dhënave të SPAK, pjesa më e madhe e kërkesave kanë të bëjnë me zyrtarët e lartë...
Prokuroria e Posaçme ka vënë në lëvizje vendet partnere për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shumë zyrtarë dhe bosë krimi kanë fshehur pasuritë jashtë vendit, sidomos në parajsat fiskale. Shumë të tjerë kanë kryer atje aktivitete kriminale. Por SPAK duket se ka rënë në gjurmët e tyre dhe mësohet se janë dërguar 123 letër-porosi vitin që lamë pas në dhjetëra shtete.
Sipas raportit vjetor të SPAK, veprat më të shumta penale për të cilat është kërkuar ndihmë nga vendet partnere janë: Shpërdorimi i detyrës, shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, refuzimi për deklarimin, mos deklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, ekspertimi i rremë, korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, mashtrimit, mashtrimit kompjuterik, organizata terroriste, pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, vrasje me paramendim e mbetur ne tentative, vrasje në rrethana të tjera cilësuese , vrasje e funksionarëve publikë, vjedhje, vjedhje me dhunë, vjedhje me armë, falsifikimit të dokumenteve, etj.
Ndërkohë ndarja sipas shteteve do të ishte, Franca 30 kërkesa, Italia 12 kërkesa, Greqia 8 kërkesa, Gjermania dhe Holanda 7 kërkesa, Kroacia 6 kërkesa, Spanja, Belgjika dhe Kosova me nga 5 kërkesa, SHBA me nga 4 kërkesa, Kolumbi, Meksikë, Maqedonia e Veriut me nga 3 kërkesa, Ekuador, Brazil, Zvicër, Bullgari, Austri, me nga 2 kërkesa, Norvegji, Kanada, Rumani, Bosnje Hercegovinë, Monako, Maltë, Angli, Turqi, Lituani, San Marino, Suedi, Mali i Zi, Qipro, Hungari me nga 1 kërkesë.
Ajo që bie në sy është se bumi më i madh i kërkesave është në Francë, Itali, Greqi apo Gjermani. Ndërkohë që kërkesa ka pasur dhe për vendet njohura si “parajsa fiskale”, siç janë Monako, Malta, Anglia, San Marino apo Qipro.
Elementi tjetër është se ka pasur kërkesa deri në Kolumbi e Meksikë për grupet kriminale të trafikut të kokainës.
Sipas të dhënave të SPAK, pjesa më e madhe e kërkesave kanë të bëjnë me zyrtarët e lartë dhe nëse shohim listën, në Austri, Qipro, Angli apo SHBA kërkesat janë bërë për Ilir Metën. Po ashtu ka pasur dhe për emra të tjerë, të cilët duket se kanë nxjerrë paratë jashtë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje