
Teksa ish-presidenti Ilir Meta po sulmon ashpër drejtësinë e re, kjo e fundit ka marrë mbështetje nga ndërkombëtarët.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ka thënë se mbështet institucionet e drejtësisë, duke theksuar se puna e tyre është çelësi për të çrrënjosur korrupsionin nga vendi.
Gonzato deklaroi se integrimi në BE varet nga kontributi i institucioneve të drejtësisë dhe theksoi se BE-ja do të qëndrojë në krah të Shqipërisë për arritjen e këtij objektivi.
“Ne mbështesim plotësisht institucionet e reja të drejtësisë dhe reformën në drejtësi të vitit 2016, e cila u mundësoi atyre të japin drejtësi për qytetarët. Puna e tyre është çelësi për çrrënjosjen e korrupsionit nga Shqipëria. Në komitetin drejtues të projektit #EU4Justice, theksova se integrimi në BE varet shumë nga kontributi i tyre.
Dhënia në kohë, efektive dhe transparente e drejtësisë është çelësi për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi”, shkruan në një postim ambasadori.
Ilir Meta prej disa ditësh ka vënë në shënjestër SPAK dhe sidomos kreun e saj Altin Dumani.
Lini një Përgjigje