TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 17:20

KLGJ hoqi dorë, ILD nis shqyrtimin e çështjes për Irena Gjokën

Shkruar nga Pamfleti
KLGJ hoqi dorë, ILD nis shqyrtimin e çështjes për Irena
Irena Gjoka

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur shqyrtimin e dosjes së ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.

KLGJ vendosi pak ditë më parë, me shumicë votash, që çështja që lidhet me një dënim të saj në Greqi t’i kalojë për vlerësim ILD-së, si organi kompetent për hetimin disiplinor.

Më 20 janar, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares Gjoka, proces i kërkuar nga KLGJ dhe i zhvilluar për rreth 20 muaj. Rezultati i këtij verifikimi nuk u bë publik.

Paralelisht, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja. Kallëzimi lidhet me pretendimin për mosdeklarimin në formularin e vetëdeklarimit të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në mesin e viteve 2000, për falsifikim pasaporte dhe vize. SPAK ka sqaruar se procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, ndërsa deri tani nuk ka persona të regjistruar si nën hetim.

Gjyqtarja Gjoka ka kaluar më herët procesin e rivlerësimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, ndërsa Komisioneri Publik u tërhoq nga ankimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke lënë në fuqi vendimin e konfirmimit.

irena gjoka ild denim

Lini një Përgjigje