
Analisti Genc Burimi ka komentuar bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë nga Greqia pas rastit të Fredi Belerit.
Burimi tha se Greqia e ka kapur Ramën “mat” me dy çështje lidhur me Belerin, prezumimi i pafajësisë që sipas tij në Perëndim është një parim i shenjtë dhe ligji që lejon betimin e një zyrtari nëse nuk ka një dënim të formës së prerë.
Lidhur me kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës për ish-kryeministrin Sali Berisha, Burimi u shpreh se Prokuroria e Posaçme në këtë mënyrë ka pranuar se ka bërë një gafë me kërkesën e parë, për të cilën nuk kërkoi miratimin e Parlamentit.
“Greqia nuk është aq naive, ajo thotë që të gjykohet, të dënohet. Greqia shtron dy probleme që e kap Ramën shah-mat. Ajo përmend prezumimin e pafajësisë, që në Perëndim është vlerë kardinale. Është një parim i shenjtë në Perëndim. Rama këtë e ka shkelur me këmbë 2 ditë para arrestimit të Belerit duke thënë që është kështu e ashtu.
Kjo është gafë fëminore. Gafa e dytë qëndron te ligji që lejon betimin nëse nuk ka një dënim të formës së prerë. Nëse Trump zgjidhet President nesër në SHBA ai do të bëjë betimin nëse nuk ka dënim të formës së prerë. Historia do mbajë mend që Berisha i solli NATO-n dhe heqjen e vizave, kurse Rama duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë rast me BE-në
Greqia luan me një favor që i jep vetoja në BE, kështu janë formuar institucionet. Hungaria sot bllokon ndihmën ndaj Ukranës, çfarë pune ka? Kështu funksionon Europa. Rama e di këtë.
Do doja ta kisha përballë Ramën që tha se PS ka rritur imazhin e Shqipërisë. Ta shohë Rama në pasqyrë sa vlen imazhi i Shqipërisë së tij. Tani ke turp të thuash që je shqiptar. E patë në Austri sondazhin, rreth 50% e tyre nuk e duan integrimin shqiptar në BE, dhe Austria mbahet si një vend pro-shqiptar. Rama po e kthen Shqipërinë në një autokraci, në një Turqi si Erdogani.
Është diçka shumë e mirë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes me Italinë për emigrantët sepse vendos opozitën në vështirësi pasi nuk mund të thotë që drejtësia është e keqe kur merr vendime në favor të saj. Opozitës i duhet një doktrinë konkrete në lidhje me drejtësinë. Megjithatë unë nuk kam besim se Rama do të ndalet për këtë. Atë e ndal vetëm rezistenca popullore. Opozita duhet të kërkojë një referendum, është një çështje madhore.
Kërkesa për ndryshimin e masës për Berishën më zhgënjeu shumë. SPAK pranoi gafën që bëri me kërkesën e parë, por edhe këtë herë gaboi. Thjesht pranuan që gabuan rëndë herën e parë dhe humbi një muaj kohë”, tha Burimi për “News 24”.
Lini një Përgjigje