Ndalimi i Qynos është në vazhdën e presioneve të mëparshme. SPAK në qershor të vitit të kaluar mori një vendim, duke i kufizuar gazetarit fjalën e lirë dhe duke e kërcënuar me burg.
Prokuroria e Posaçme ka ndaluar ditën e sotme gazetarin Elton Qyno, pas disa shkrimeve që ky i fundit ka bërë në median ku punon, "Ora News".
Qyno ka nxjerrë detaje nga shumë dosje hetimore duke informuar publikun, por sipas burimeve të "Pamfletit", SPAK ka urdhëruar ndalimin e tij, duke kërkuar burimet e tij të informacionit.
Ai po mbahet brenda SPAK që prej orës 10.00, me kërkesë të prokurorit Behar Dibra, lidhur me pretendimin për nxjerrje të sekreteve hetimore.
Skandali është se detyra e një gazetari është të nxjerrë çdo lloj informacioni dhe baza e gazetarisë është të mos publikohen burimet. Por SPAK duke mos qenë e fuqishme të zbulojë vetë se si i dalin të dhënat, ka urdhëruar të ndalohet gazetari dhe t’i ushtrohet presion që të tregojë burimet e tij.
Ndalimi i Qynos është në vazhdën e presioneve të mëparshme. SPAK në qershor të vitit të kaluar mori një vendim, duke i kufizuar gazetarit fjalën e lirë dhe duke e kërcënuar me burg. Prokurorët kërkuan që Qyno të ndalojë së publikuari të dhëna nga dosja hetimore e Nuredin Dumanit. “Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk mund dhe nuk duhet të cenojë një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmendura gjatë hetimit, i cili vazhdon”, shprehej SPAK.
Por duket se tani çmenduria e Prokurorisë ka shkuar deri aty sa të ndalojë gazetarin dhe të kërkojë burimin e informacionit të tij, duke shkelur çdo lloj norme dhe duke intimiduar median. /Pamfleti
Lini një Përgjigje