
Teksa në shumë qytete janë shkaktuar vatra zjarri, një mot i paqëndrueshëm është shënuar në Elbasan.
Pas orës 16:00 papritur moti ka ndryshuar dhe reshjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të Elbasanit.
Në qytet ka rënë shi i imët, në zonën e Shpatit ka mbizotëruar mot ekstrem i shoqëruar nga një stuhi shiu i dendur dhe breshëri, madhësia e kokrrave të cilit ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe e pazakontë, pasi në disa zona sipas banorëve të fshatit Gjinar një kokërr breshëri ishte sa një top golfi.

Stuhia e frikshme sipas tyre zgjati rreth 2 orë dhe shkaktoi dëme të mëdha në të mbjellat dhe pemëtari, duke u shkaktuar humbje të mëdha fermerëve të Njësisë Administrative Gjinar në Bashkinë e Elbasanit.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se pas një pune të pandërprerë të forcave në terren dhe nga ajri ka përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin Grapsh në bashkinë Dropull dhe në fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq, duke mos shfaqur më rrezik për banorët dhe banesat e fshatrave.
Lini një Përgjigje