TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2024, 17:39

U dorëzua në Rinas pas akuzave për shantazh, Gjykata vendos detyrim paraqitjeje për ish zyrtarin e AMP

Shkruar nga Pamfleti
U dorëzua në Rinas pas akuzave për shantazh, Gjykata vendos
Kushtrim Selimi

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish zyrtarin e AMP-së, Kushtrim Selimi, i cili në bashkëpunim me disa persona të tjerë publikonte lajme të rreme për drejtuesit e institucioneve.

Po ashtu, ndaj tij është caktuar edhe masa sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Hetimet lidhur me publikimin e lajmeve apo shkrimeve kanë nisur pas denoncimit të bërë nga Dritan Pjetri, drejtues i AMP në Tiranë, figura e të cilit është denigruar nga portali në fjalë.

Gjithashtu dosja përfshin dëshminë e gazetarit, që është paguar me një pagë mujore 500 mijë lekë të vjetra për të publikuar shkrime apo artikuj, të botuar edhe nga media të tjera, ku sulmoheshin drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfshirë këtu edhe Neritan Nallbatin, Muhamet Rrumbullakun, Florjan Sulejmani, Rebani Jaupi etj.

Vendimi

Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i biri i Hasan dhe Farie, i datëlindjes 05.07.1985, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, pallati “Isha Poliklinika e Udhëheqjes”, me gjendje gjyqësore i padënuar, me shtetësi shqiptare, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a/2 i Kodit Penal.

Detyrimin e personit nën hetim Kushtrim Selimi që të paraqitet në Policinë Gjyqësore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, të hënën e dytë dhe katër të çdo muaji, ora 10:00.

Urdhërohet policia gjyqësore që t’a ekzekutojë këtë vendim.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit.

Skema

Ndaj ish zyrtarit të AMP kanë ngritur kallëzim penal drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi.

Kallëzimet ndaj tij janë bërë lidhur lajmet e publikuara nga Kushtrim Selimi së bashku me vëllain e tij në SHISH, për denigrimin e drejtuesve të institucioneve të Policisë së Shtetit.

Ish-shefi i Sektorit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Kushtrim Selimi akuzohet se përmes një portali publikonte shkrime denigruese ndaj drejtuesve të Policisë.

Kushtrim Selimi mësohet se financonte portalin shqipneës.info, që e kishte hapur së bashku me zyrtaren tjetër të AMP, Rexhina Omeri dhe gazetarin Ervis Hasanaga.

Ata publikuan shkrime të rreme për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun, drejtorin e Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike, Rebani Jaupin, dhe kreun e AMP-së, Florjan Sulejmani me qëllim denigrimin e tyre në publik përmes lajmeve të rremë.

Lini një Përgjigje