
Ka dalë pas katër orësh nga SPAK, ish kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
Pasi është pyetur nga mediat për arsyen e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme, Roshi është shprehur se nuk mund të flasë për shkak të hetimit.
“Për shkak të hetimit nuk mund të flas”, tha Roshi. Gjithashtu Roshi u pyet nëse po akuzohet për shpërdorim detyre.
Më 28 mars, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi SPAK që të hetojë Elvis Roshin, pas kallëzimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Thirrja e tij vjen pak javë, pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK që të vijojë hetimet ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, që u largua nga detyra për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
Elvis Roshi akuzohet se kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit, ndërsa u hetua më herët nga Prokuroria e Durrësit, e cila vendosi pushimin e hetimeve.
Por Durrësi ia transferoi çështjen Gjykatës së Posaçme, e cila tashmë ka vënë në lëvizje SPAK-un.
“Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.
Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lini një Përgjigje