TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2024, 11:50

Laboratori i kokainës në Xibrakë, Olsi Rama kallëzon për herë të dytë Gazment Bardhin në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Laboratori i kokainës në Xibrakë, Olsi Rama kallëzon
Olsi Rama dhe Gazment Bardhi

Vëllai i kryeministrit, Olsi Rama ka depozituar ditën e sotme një kallëzim në SPAK ndaj kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e bërë nga ky i fundit për implikimin e tij në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.

Kërkesa e tij është e dyta brenda pak kohësh, pasi struktura e Posaçme kishte vendosur fillimisht të mos e pranonte kallëzimin e tij të parë ndaj Bardhit për shkak se ky i fundit nuk kishte bërë kallëzim në SPAK, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve për Xibrakën.

Në kallëzimin e dytë të Olsi Ramës, ai i referohet një statusi të Gazment Bardhit në 8 maj, ku kreu i grupit të PD-së thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.

“Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr.68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.

Në kallëzimin e parë Olsi thotë se Bardhi i ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin e tij.

Ai pohon se nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokinës dhe shton se është në dispozicion të drejtësisë për të vërtetuar çdo akuzë të rreme.

“Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi”, deklaron Olsi Rama në reagimin e tij.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi denoncoi përmes dokumenteve të prokurorisë dhe të sistemit TIMS se Olsi Rama ka përdorur të njëjtën makinë me anëtarët e një grupi të trafikut të drogës në vitin 2014 dhe kërkoi rihapjen e hetimeve.

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

“Prokuroria hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës,” tha Bardhi, duke theksuar se Olsi Rama ishte në atë kohë 45 vjeç. Ai shtoi gjithashtu se “vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë”.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. 

Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.

laboratori i kokainës

Lini një Përgjigje