TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2024, 10:35

Vrasja e Inez Hajrullës u porosit për kontrollin e lojërave të fatit, SPAK mbyll hetimet për Amarildo Nikollin dhe 3 të tjerë

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Inez Hajrullës u porosit për kontrollin e lojërave

SPAK ka zbardhur atentatin ndaj të fortit të Vlorës Inez Hajrulla. 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka zbardhur atentatin ndaj personazhe të njohur në botën e krimit, Inez Hajrullah dhe Ervis Matodashaj.

SPAK dërgoi në GJKKO, kërkesën për gjykim 4 të pandehurit, Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno, të akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Sipas SPAK vrasja ishte porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës.

Atentati lidhet me vrasjen e shtetasit Erigert Zejno në qytetin e Vlorës në vitin 2013.

Në lidhje me këtë ngjarje në vitin 2013 u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por në vitin 2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj dhe të tjerët, për mungesë provash.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i cili është kushëri me Erigert Zejno, ka marrë një porosi nga Dubai dhe ka krijuar një grup të strukturuar kriminal për të bërë eliminimin e kundërshatrëve.

Pjesë e grupit të krijuar për të realizuar ekzekutimin është i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.148/1, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno, të akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar përkatësisht nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/1/2, dhe 334, të Kodit Penal.

Hetimet provuan se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Për këtë qëllim, i pandehuri Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes (pas kryerjes së vrasjes).

Vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj të pandehurit Amarildo Nikolli, nga shërbimet e policisë të Sektorit “Fast Albania”, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Ka rezultuar se ditën e arrestimit të tij, i pandehuri Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit Leonard Luzi.

Pas dërgimit për gjykim të procedimit penal në ngarkim të katër të pandehurve të mësipërm, vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, i cili synon zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në kryerjen e veprave penale.
Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Lini një Përgjigje