
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja për sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili vijon të jetë në gjendje koma.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Hoxha shpjegoi sulmin ndaj Mëngjesit dhe dyshimet e deritanishme se kjo është një ngjarje që ka lidhje me një konflikt të avokatit me klientët e tij.
Ai deklaroi se kur avokati ka fituar çështjen e pronësisë, njëri prej klientëve nuk ka dashur të zbatojë kontratën dhe dyshohet se ka urdhëruar sulmin.
"Ngjarja është shumë e rëndë, kujtdo që t'i ndodhë. I vetmi favor që kanë bërë autorët, kanë pritur ta çojë djalin. Janë treguar barbarë. Sapo ka dalë nga kopshti, e ka qëlluar një person, i cili duhet të ketë patur dorezë hekuri në dorë. Goditja në pjesën ballore është mjaft e madhe, ka një frakturë.
Në momentin e parë ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë, kur ka rënë në tokë, kanë shkuar agresorët e tjerë dhe i kanë rënë me shkelma në kokë. Ai ka humbur ndjenjat dhe e godasin sërish me shqelma në fytyrë. Ka edhe një lloj urrejtje për ta bërë. Më vonë është njoftuar policia, autorët janë larguar në këmbë, e kanë llogaritur më parë si do të largoheshin. E çuditshme ka qenë, krahasuar me ngjarjet e tjera, nuk kanë përdorur maska, vetëm një kapele, gjë që i ka bërë të identifikueshëm.
Avokati është transportuar në spital, në momentet e para kur është bërë kontrolli, ka qenë i vetëdijshëm dhe pastaj ka humbur koshiencën. Vijon të jetë në gjendje të rëndë, shumë të rëndë. Pra mjekët më shpjeguan që avokati nuk mund të transportohet as me avion për ta çuar në një vend të BE, për ti dhënë ndërhyrje më të specializuar. Është në gjendje shumë të rëndë, është i intubuar.
Kemi të bëjmë me një avokat, që ka imazhin e një profesionisti, është avokat i shkolluar dhe formuar në Universitetin e Selanikut. Është pedagog, një nga avokatët që ka disa nga çështjet më të rëndësishme. Përveç zotit Berisha, ka çështjet e Kishës Ortodokse, një biznesmen izraelit, çështjen Becheti, etj. Pra, edhe imazhi që ka mes juristëve është imazhi i një profesionisti të mirë”, tha Hoxha.
Lini një Përgjigje