
Situata me zjarret në jug të vendit vijon të jetë kritike. Pas vatrave të regjistruara ditët e fundit në Dukat lart dhe në malet e Llogarasë, këtë të hënë është raportuar një vatër e re në Dukat Fushë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se flakët kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta po e përhapin zjarrin me shpejtësi drejt disa banesave. Ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit.
Në të njëjtën kohë, një tjetër vatër është ndezur në fshatin Janjar të Bashkisë Konispol, pranë kufirit me Greqinë. Në terren po punojnë 5 zjarrfikës dhe 3 roje pyjesh, ndërsa është kërkuar dhe ndihma e shërbimit zjarrfikës të Filatit në Greqi. Reagimi nga pala greke ka qenë i menjëhershëm; dy avionë caskader po operojnë mbi zonën për të shuar flakët.
Autoritetet lokale bëjnë apel për kujdes maksimal, duke theksuar se temperaturat ekstreme dhe era rrisin rrezikun për përhapje të menjëhershme të vatrave. Situata mbetet e hapur dhe strukturat e emergjencës janë në gatishmëri për të mbrojtur banesat dhe pyjet nga dëmet e mëdha.
Lini një Përgjigje