TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Korrik 2025, 14:45

Ndryshimet në Kodin Penal, Spahiu kundër lirimit me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm: Nuk i kemi kushtet! 

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimet në Kodin Penal, Spahiu kundër lirimit me kusht
Kreshnik Spahiu

Juristi Kreshnik Spahiu është kundër ndryshimeve në Kodin Penal që kanë të bëjnë me lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se Shqipëria nuk i ka kushtet sikurse vendet e përparuara që të sigurojë institucionet dhe ligjistikën për t’i mbikëqyrur këta persona.

Për shkak të rrezikshmërisë së tyre të lartë, ata janë të predispozuar për të kryer këto krime të rënda përsëri. Juristi theksoi se vendi ka nevojë për një Kod Penal nga e para, që të bëhet tërësisht dhe jo i arnuar.

Madje, sugjeroi që Shqipëria t’i përafrohet me urgjencë legjislacionit të Bashkimit Europian, teksa analizoi edhe ndryushimet e tjera që po bëhen, si dënimi i gazetarëve për nxjerrjen e sekretit hetimor, duke vënë në dukje paradoksin se do akuzoheshin mediat për publikim, por jo gjyqtarë dhe prokurorë që i nxjerrin vetë sekretet.

“Kodi i ri Penal ka nevojë për ndryshime e përafrim me legjislacionin e BE-së, është nevojë emergjente. Kjo për përballimin e disa fenomeveve me të cilat përballet sot Shqipëria. Ajo që bie në sy është propozimi i ideuesve të këtij projekti për lehtësimin e të dënuarve me burg të përjetshëm. Shqipëria nuk ka infrastrukturën, kushtet dhe logjistikën për të realizuar këtë, pasi të dënuarit përjetë janë ata me kategori të rrezikshme”, shpjegoi Spahiu për "Report Tv".

I pyetur  për arsyet përse nuk duhej lejuar lehtësimi i dënimit për të burgosurit e përjetshëm, ai shpjegoi:

“Sepse ti si shtet nuk e garanton dot se ata nuk do e përsërisin këtë krim, pikërisht për shkak të mungesës së kushteve dhe logjistikës”.

Juristi ndau mendimin kundër edhe për rritjen e moshës së të miturve, në 20-21 vjeç, duke theksuar se në Shqipëri ka shumë të rinj të kësaj moshe që akuzohen për krime të rënda. Dhe jo vetëm kaq, pasi ndryshe nga vendet e përparuara, Shqipëria nuk ka as institucione riedukimi ku ta trajtojë këtë kategori.

“Duket e tepërt trajtimi i 20-21 vjeçarëve si të mitur. Ka vende të tjera që e kanë, por Shqipëria nuk ka as institucione riedukimi, nuk ka kushtet për t’i trajtuar ato. Ka shumë 20-21 vjeçarë që kanë kryer krime të rënda dhe që nuk mund t’u lehtësohet masa dënuese”, u shpreh ai.

Gjithashtu kritikoi edhe situatën në paraburgime, ku mbahen shumë nga të arrestuarit deri në fund të procesit hetimor dhe gjyqësor, duke i cilësuar jonormale dhe ku ka nevojë për ndryshim në Kodin Penal.

“Kushtet në paraburgime nuk janë njerëzore, nuk janë normale, e paraburgim nuk do të thotë denigrim, për më tepër që prezumohet i pafajshëm. Shqipëria nuk ofron kushtet e nevojshme të paraburgimit dhe një ditë paraburgim nuk mund të konsiderohet me një ditë burgim”, tha juristi.

Lini një Përgjigje