
Avokati Spartak Ngjela duke analizuar konfliktin e ri ndezur në Gaza, tha se kushdo që del në luftë me Izraelin është i humbur.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, ai deklaroi se Izraeli është i kompletuar ushtarakisht dhe shumë i armatosur.
“Të gjitha luftërat i kanë fituar hebrenjtë, se janë shtet luftë dhe hebraikë. Luftën me ata nuk e fiton dot askush. Mjerë ata që janë në luftë kundër tyre e janë armiq të tyre. E them nga studimet këtë. I kam parë të gjitha luftërat e në të gjitha luftërat kanë pasur përparësi. Janë shumë të armatosur dhe janë shtet lufte”, tha Spartak Ngjela.
Ai shtoi se Izraeli do të fitojë luftën me grupin e Hamasit, por theksoi se pas kësaj që ndodhi, Izraeli mund të marrë komplet nën kontroll Gazën.
Ngjela tha gjithashtu se deri më tani ka qenë argumenti amerikan ai që nuk e ka lejuar Izraelin të largojë nga territoret aktuale kundërshtarët, por nëse ky koncept ikën prej Izraelit, sipas Ngjelës, nuk do të flitet më për shtetin e Palestinës.
“Për Izraelin kjo është një luftë e drejtë, sepse po mbron territorin e saj, tani asaj nuk i duhet gjë fare se çfarë flasin agresorët kundër saj. Pas kësaj që ndodhi agresorët atje nuk do të kenë më mundësi të kenë një territor atje. Gjithë presioni për të mos hequr nga territoret aktuale kundërshtarët e tij ka qenë koncept amerikan. Në këto momente koncepti amerikan është në zmbrapsje. Nëse ikën forca e argumentit amerikan ndaj izraelit, për planin që mund të ketë Netanjahu në këto momente atëherë nuk do ta keni më shtetin për të cilin ju po flisni”, tha Ngjela.
Lini një Përgjigje