Në vendimin e bordit, çdo student që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite në vendin e tij pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekësh të reja për çdo vit studimi...
Universiteti i Mjekësisë duket se ka vulosur planin djallëzor të qeverisë për të mos lejuar asnjë student të Mjekësisë që të largohet jashtë vendit. Pak muaj më parë u miratua ligji përmes të cilit studentët detyrohen të nënshkruajnë një kontratë me shtetin, duke rënë dakord që të mos largohen jashtë vendit. Ata që nuk e nënshkruajnë, do të duhet të paguajnë tarifat.
Sot Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë ka përllogaritur koston e një studenti të mjekësisë.
Në vendimin e bordit, çdo student që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite në vendin e tij pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekësh të reja për çdo vit studimi.
Pra afërsisht, një studenti, e gjithë periudha e studimit mund t'i shkojë afro 15 mijë euro nëse synon të ikë jashtë vendit. Me pak fjalë, më me fitim del të studiosh te privati sesa në shtet.

Sa i takon ligjit, studentët duhet fillimisht të firmosin një marrëveshje me qeverinë. Sipas kësaj marrëveshjeje, ata që pranohen në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, përfiton trajtim të veçantë.
“Nënshkruan marrëveshje, para regjistrimit të tij si fitues në këtë program, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë. Pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare”, thuhet në ligj.
Për studentët e vitit të dytë, tretë dhe katërt do ketë një bllokim diplome për 3 vite, ndërsa për ata të viteve të pesta dhe të gjashta për 2 vite. Kush refuzon ta firmosë këtë marrëveshje, do të detyrohet të paguajë miliona. Kjo duket se është dhe metoda e qeverisë që t’i detyrojë të gjithë të firmosin kontratën.
“Studenti, që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat, nga data e lindjes të së drejtës për punësim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë publik, sipas përcaktimeve të nenit 4, të këtij ligji, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve. Metodologjia për përcaktimin e kostos së studimeve për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi studimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thekson ligji.
Më tej thuhet se studenti, që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” punësohet me prioritet në institucionet shëndetësore, nga momenti i lindjes të së drejtës për punësim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje