
Qendrat e emigrantëve në Shëngjin e Gjadër nuk do të hapen më datë 1 gusht të vitit 2024, pavarësisht premtimit që kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri në vizitën e saj më 5 qershor.
Euronews Albania i është drejtuar fillimisht zotit Andrea Arnaldo, këshilltarit të kryeministres Giorgia Meloni për t’i kërkuar një përgjigje zyrtare nëse qendrat në Gjadër e Shëngjin do të jenë funksionale në datën 1 gusht.
Arnaldo na ka adresuar te Ambasada Italiane në Shqipëri si institucioni përgjegjës, për të marrë një përgjigje se kur do të jenë funksionale qendra e Shëngjinit e cila ka përfunduar dhe qendra e Gjadrit.
Në përgjigjen e saj Ambasada ka deklaruar se më 1 gusht qendrat nuk do të jenë funksionale. Kjo me justifikimin se vala e të nxehtit e ka bërë të pamundur vazhdimin e punimeve. Po ashtu është njoftuar se Ambasada Italiane do të organizojë nesër një vizitë në Shëngjin dhe Gjadër, për të parë se në ç’pikë kanë arritur punimet.
“Për shkak të valës së të nxehtit gjatë verës është vendosur që të ndërpriten punimet për ndërtimin në Gjadër gjatë orëve gjatë ditës, për të ruajtur kujdesin e punëtorëve. Kjo gjë mund të ketë zgjatur kohën, por është duke u punuar që të hapen qendrat sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Italiane.
Pas një komunikimi tjetër telefonik me Ambasadën e Italisë në Tiranë ku i është kërkuar nga Euronews Albania të parcaktojnë datën kur do të hapen këto qendra, përgjigja ka qenë ‘brenda disa javëve’, duke mos specifikuar periudhën se kur këto qendra do të jenë efektive”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës Italiane.
Lini një Përgjigje