TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Maj 2024, 09:59

Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Gjika shkon në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Gjika shkon në SPAK

Ish-drejtuesi i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika ka shkuar në SPAK ditën e sotme.

Ende nuk dihet arsyeja e vizitës së tij në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kujtojmë se në shkurt të vitit 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues i autoritetit rrugor u arrestua për korrupsion. Bashkë me të, përfunduan në qeli edhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka. Akuza e ngritur ndaj tij ishte abuzimi me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan. 

Rruga nisi me një kosto prej 222 milion dollarësh por deri në përfundim i mori shqiptarëve rreth 330 milionë dollarë.

Auditi i Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Damian Gjiknuri, llogariti se dëmi i shkaktuar ishte 36 milion dollarë.

Pas auditit, Gjiknuri paditi Dashamir Xhikën dhe vartësit e tij duke pretenduar se kostot e rrugës janë rritur për të favorizuar kompaninë Aktor që po ndërtonte rrugën. Nga ky veprim ata do të përfitonin para për vete.

Pas hetimeve, prokurorët e prokurorisë së krimeve të rënda nuk gjetën prova për të vërtetuar korrupsionin. Si pasojë, në tetor të vitit 2018 ata ia kaluan dosjen prokurorisë së Tiranës për të hetuar për shpërdorim detyre.

Dosja e madhe e korrupsionit të rrugës Tiranë-Elbasan u mbyll dhe zyrtarët u liruan nga burgu.

Në korrik të vitit 2021, ata u pastruan edhe nga akuza e shpërdorimit të detyrës pasi prokuroria e Tiranës kërkoi pushimin e çështjes.

Dashamir Xhika ishte kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2017.

 

Lini një Përgjigje