TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Gusht 2025, 14:50

IGJEUM: Reshjet intensive të shiut do të vijojnë, tre qarqe janë më të rrezikuara

Shkruar nga Pamfleti

Pas ditëve të nxehta të gushtit, i gjithë vendi është përfshirë sot nga stuhi dhe reshje të dendura shiu. Reshjet kanë shkaktuar problemet e para në disa qytete, si edhe vonesa me fluturimet në aeroportin e Rinasit.

IGJEUM: Reshjet intensive të shiut do të vijojnë, tre qarqe
Tiranë, 30 Gusht 2025

Tirana, Durrësi dhe Lezha do të vijojnë të jenë nën pushtetin e reshjeve intensive të shiut.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, IGJEUM, reshjet do të vijojnë gjatë orëve të pasdites së së shtunës, por edhe gjatë ditës së diel, 31 gusht.

Në qarqet Shkodër, Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në Kukës dhe Fier priten reshje mesatare. Qarqet e tjera do të kenë reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

Po sipas IGJEUM, reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet, ndërsa intensiteti i lartë i tyre mund të shkaktojë përmbytje të shpejta në zona urbane, sidomos në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa për momente të shkurtra deri e fortë në bregdet dhe zonat malore.

I gjithë vendi u përfshi këtë të shtunë nga moti i keq, duke shkaktuar probleme në disa qarqe. Në Tiranë, era e fortë shkaktoi edhe të lënduar, ndërsa shumë pemë ranë duke dëmtuar biznese e makina. Probleme pati edhe në Durrës, ku uji pushtoi rrugët dhe lundrimi në det u pezullua. Edhe Lezha e Vlora u përballën me reshje intensive e erëra të forta.

Për shkak të motit të keq, autoritetet në aeroportin e Rinasit pezulluan për rreth 30 minuta fluturimet, me qëllim garantimin e sigurisë për udhëtarët.

Në njoftimin zyrtar, aeroporti thotë se puna aktualisht vijon normalisht, ndërkohë që në Tiranë po ulen edhe avionë me destinacion aeroportet e tjera fqinje.

“Për shkak të motit dhe kushteve të rënduara atmosferike, skuadra e aeoportit ka pezulluar operacionet në pistë për rreth 30 minuta. Kjo është për të garantuar siguri maksimale të pasagjerëve. Ndërkohë puna vijon  normalisht. Madje në aeroportin e Tiranës po ulen edhe avionë me destinacion aeroportet e vendeve fqinje.”, thuhet në njoftimin e TIA.

Ndërsa Policia e Shtetit apeloi për kujdes në rrugë, si nga shoferët ashtu edhe nga këmbësorët.

 

reshjet intensive të shiut moti i keq

Lini një Përgjigje