
Kush është nga Allison Hooker, e cila do të mbajë funksionin e Nënsekretares për Çështjet Politike në DASH, pozicion që menaxhon të gjitha zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit.
Viktoria Nuland, e cila mbante detyrën e nënsekretares politike në Departamentin amerikan të Shtetit është larguar nga funksioni i saj me dorëheqje. Nuland për vite me rradhë ka mbajtur detyra të rëndësishme në DASH, madje ka qenë prezente në zgjidhjen e krizave politike në Shqipëri, veçanërisht në periudhat 2014-2016 dhe më tutje deri në 2019-ën.
Është e vështirë të harrohen vizitat e Nuland në Tiranë, sa herë që palët politike përfshiheshin në përplasje të forta, ndërsa ajo shfaqej si një “dorë e hekurt” e SHBA-së për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe krizat shqiptare.
Në 2016, kohë kur mbante detyrën e zv/ndihmës sekretares amerikane e shtetit, Nuland erdhi në Shqipëri, duke vulosur çuarjen përpara të reformës në drejtësi, ndërsa palët politike, dukeshin larg arritjes së një kompromisi për miratimin e kësaj reforme, që u pasua më pas me ngritjen e SPAK, prokurorisë speciale që luftonte korrupsionin në nivelet më të larta.
Në atë kohë, pothuajse me një gjuhë ultimative, Nuland kërkonte nga Tirana, që të gjente gjuhën dhe të miratonte ndryshimet Kushtetuese për reformën në drejtësi.
“U bëj thirrje edhe një herë palëve politike në Shqipëri të gjejnë sa më shpejt zgjidhjen dhe të votojnë në 21 korrik propozimin e mbështetur prej saj për Reformën në Drejtësi”, ishte mesazhi i Nuland në 20 korrik të 2016, një ditë para se Kuvendi të miratonte me 140 vota pro reformën në drejtësi.
Po kush do të pasojë Nuland në pozicionin e nënsekretares politike në DASH?
Pozicioni i Nënsekretares për Çështjet Politike në DASH konsiderohet si pikë kyçe për faktin se menaxhon të gjitha zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit.
Ky pozicion pritet të mbahet nga Allison Hooker, e cila është një specialiste e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare me 20 vjet përvojë në Qeverinë e SHBA-së që punon në Azi.
Hooker u nominua nga Presidenti Donald Trump dhe kaloi testin e parë në Senat, atë të Komisionit të Jashtëm.
Allison shërbeu për më shumë se gjashtë vjet në stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke përfshirë edhe pozicionin e Zëvendës Asistentes së Presidentit dhe Drejtore e Lartë për Azinë, ku ajo drejtoi koordinimin dhe zbatimin e politikës së SHBA ndaj rajonit Indo-Paqësor dhe koordinoi qasjet e politikave me aleatët dhe partnerët në Indo-Paqësorin dhe Evropën.
Para kësaj, Allison shërbeu si Asistente Speciale e Presidentit dhe Drejtoreshë e Lartë për Gadishullin Korean, ku ajo u përqendrua në politikën e SHBA-së ndaj Koreve dhe personelin e Presidentit për të gjitha angazhimet me Korenë e Veriut dhe Jugut, duke përfshirë samitet SHBA-DPRK në Singapor, Hanoi dhe DMZ.
Përpara shërbimit të saj në Shtëpinë e Bardhë, Allison ishte një analiste e lartë për Korenë e Veriut në Byronë e Inteligjencës dhe Kërkimit të Departamentit të Shtetit nga viti 2001 deri në vitin 2014.
Allison u zgjodh si anëtare e Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme për Çështjet Ndërkombëtare 2013-2014 në Korenë e Jugut, ku u fokusua në Politikën e Unifikimit të Koresë së Jugut. Ajo mori një diplomë master të arteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti George Washington, dhe një Diplomë Bachelor në Shkenca Politike dhe Administratë Publike nga Kolegji i Xhorxhias dhe Universiteti Shtetëror.
Allison ishte gjithashtu një studiuese në Universitetin Osaka dhe Universitetin Keio, ku u fokusua në marrëdhëniet Japoni-Kore dhe marrëdhëniet Japoni-Kinë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje