Trupat e pajetë të katër anëtarëve të familjes Kola kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit, pas tragjedisë që ndodhi më 4 shkurt në Porcari, provinca Lucca në Itali.
Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe. Sipas autoriteteve italiane, familja humbi jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre.
Familja Kola ishte me origjinë nga fshati Gryksh i Madh, në Peqin. Arti Kola punonte si bojaxhi në një kompani, ndërsa bashkëshortja e tij ishte shtëpiake. Djali 22-vjeçar ishte i punësuar si elektriçist në një kompani private, ndërsa vajza 15-vjeçare ishte nxënëse.
Sipas raportimeve të mediave italiane, monoksidi i karbonit, gaz pa erë, ka shkaktuar vdekjen e familjarëve pa u dhënë mundësi të kuptonin rrezikun. Banesa ku ndodhi ngjarja ndodhet në zonën Rughi dhe ishte blerë rreth një vit e gjysmë më parë nga familja, e cila ishte zhvendosur aty vetëm pesë muaj më parë. Shtëpia dykatëshe ishte ende në proces sistemimi.
Hetimet po përqendrohen te sistemi i ngrohjes, konkretisht te kaldaja, e cila rezulton e re. Autoritetet po verifikojnë kush e ka instaluar pajisjen dhe nëse është kryer mirëmbajtja e nevojshme teknike. Deri më tani, nuk ka dyshime mbi shkakun e vdekjes, që lidhet me helmimin nga monoksidi i karbonit.
Lini një Përgjigje