
Hakerë të lidhur me grupin iranian “Homeland Justice” kanë pretenduar se kanë realizuar një sulm kibernetik ndaj sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri.
Sipas deklarimeve të tyre, ata kanë arritur të sigurojnë dokumente dhe të dhëna me karakter gjyqësor. Megjithatë, lidhur me këto pretendime ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme, e cila bën me dije se deri në këtë fazë nuk janë konstatuar shenja të një ndërhyrjeje të tillë.
Autoriteti thekson se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët përkatës.
“Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese deri në momentin që flasim në formën e hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, shprehet prokuroria.
Rreth një javë më parë, hakerat thanë se kishin sulmuar Postën Shqiptare për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me muxhahedinët (opozitën iraniane), një pjesë e të cilëve ndodhen në kampin në Manëz të Durrësit. Paraprakisht, ekspertët nuk janë në dijeni që grupi iranian të ketë marrë të dhëna të rëndësishme dhe se shërbimet e postës kanë akses të plotë në to.
Më 10 mars, Homeland Justice sulmoi edhe Kuvendin duke publikuar email-e të deputetëve ku përfshiheshin njoftime për seancat plenare apo kalendari i punës.
Lini një Përgjigje