
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dhënë një reagim të ri lidhur me incidentin e rëndë të të helmimit të 56 kursantëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk disa ditë më parë.
AKU njofton se hetimet po vijojnë hap pas hapi në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse dhe se pas marrjes së mostrave të ushqimeve të furnizuara nga kompania Sori-Al, autoriteti ka kryer edhe kampionimin e ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizës mikrobiologjike.
Për të plotësuar kuadrin hetimor, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e këtyre analizave pritet të bëhen publike sapo të përfundojë procesi.
AKU njofton se është në pritje të rezultateve nga laboratori i ISUV për mostrat e ushqimeve, ndërsa vijon komunikimi i ngushtë me ISHP dhe NJVKSH për raportin e hetimit epidemiologjik. Ky raport konsiderohet element thelbësor për të identifikuar burimin e mundshëm të infeksionit dhe për të parandaluar transmetimin e mëtejshëm.
Njoftimi i plotë;
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me hetimin hap pas hapi të rastit të pak ditëve më parë, ku pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk u informuam mbi rastin e dyshuar për helmim të disa kursantëve pranë kësaj akademie. Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit.
Janë marrë mostra të produkteve, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve.
Përpos lëndëve të para dhe produkteve gati për tu ngrënë, të dyshuara, u krye dhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizimit mikrobiologjik. NJVKSH në këtë situatë, është ende duke kryer verifikimet e nevojshme.
Për të plotësuar kuadrin hetimor, ISHP ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve të punës, ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e të cilave, do të bëhen me dije, në përfundim të procesit. Aktualisht vijon komunikimi i ngushtë me ISHP dhe NJVKSH, nga të cilët pritet raporti i hetimit epidemiologjik, një element thelbësor për identifikimin e burimeve të infeksionit, dhe ndalimin e transmetimit të mëtejshëm.
AKU inkurajon praktikat e mira higjienike, në garantim të sigurisë ushqimore, si një masë esenciale në parandalimin e infeksioneve dhe problematikave të tjera. Trupat inspektuese dhe stafi AKU janë në gatishmëri për ndjekjen e këtij rasti dhe të gjithë situatave ku preket siguria ushqimore.
Lini një Përgjigje