Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se krimi i organizuar në Shqipëri nuk kufizohet te pastrimi i parave, por ka zgjeruar ndikimin edhe në tenderë publikë dhe në institucione shtetërore.
Lala u shpreh se SPAK ka kaluar në disa faza gjatë veprimtarisë së tij. Sipas saj, institucioni ka arritur të japë goditje të rëndësishme ndaj grupeve kriminale.
Ajo përmendi edhe disa nga operacionet më të njohura të SPAK, duke theksuar se rezultatet më të dukshme lidhen me goditjen e grupeve të strukturuara kriminale.
Lala tha se një pjesë e rëndësisme e punës së SPAK ka qenë edhe sekuestrimi i pasurive të dyshuara si të lidhura me aktivitetin kriminal, në vlera të konsiderueshme.
“Grupi kriminal Pepa është ndoshta ndër goditjet e një prej grupimeve më të rrezikshme kriminale dhe sekuestrimi i pasurive të këtij grupimi kriminal në vlera të konsiderueshme, në dhjetëra milionë euro, mendoj që është një çështje mjaft e rëndësishme sepse ishte një kompani dhe unë e kam trajtuar në emisionin “Në Shënjestër”, e cila kishte fituar dhjetëra tenderë publikë. Çfarë do të thotë kjo? Pra, krimi i organizuar që pastron paratë dhe shtrin tentakulat në tenderët publikë, dhe nga ana tjetër ishte një grupim kriminal që planifikonte marrjen peng të drejtorëve të një banke të nivelit të dytë.
Imagjinoni se çfarë grupimi i sofistikuar ku katër vëllezërit, njëri prej të cilëve për fat të keq nuk jeton më, por tre të tjerët ishin përfshirë në krim të organizuar, në trafik të kokainës, në pastrim parash dhe në shtrirjen e tentakulave në tendera, që nga rindërtimi e deri tek tenderët në bashki të ndryshme të vendit. Kështu që në këtë kuptim ishte një çështje e rëndësishme dhe e qenësishme sipas meje.
Po ashtu ke patur goditjen e grupit të Ines Hajrullës në Vlorë. Patjetër që atje duhet të ketë edhe grupi kundërshtar si Llanaj e shumë grupime të tjera në atë qytet, por që për herë të parë SPAK shkoi atje dhe që normalisht hapi kutinë e Pandorës për vrasje mafioze që kanë ndodhur në atë qytet e më pas mund të ketë edhe arrestime… arrestime të tjera”, tha ajo në Kjo Javë.
Lini një Përgjigje