Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune në Danimarkë më 21 dhe 22 maj 2026, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të eksperiencave në fushën e drejtësisë dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë së magjistratëve.
Gjatë qëndrimit në Kopenhagë, delegacioni i ILD-së zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve daneze, si edhe me Ambasadën e Shqipërisë në Danimarkë.
Në takimin me Drejtorin për Politikat Evropiane në Ministrinë daneze të Punëve të Jashtme, Jakob K. Alvi, u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri, standardet e shtetit ligjor dhe procesin e integrimit europian të vendit.
Në fjalën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, vlerësoi mbështetjen e Danimarkës ndaj reformës në drejtësi dhe theksoi se gjatë dekadës së fundit kjo reformë ka konsoliduar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe parimet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Metani nënvizoi se ILD ushtron funksionet e saj mbi bazën e përgjegjësisë disiplinore, duke ruajtur balancën mes pavarësisë funksionale të magjistratëve dhe të drejtës së qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe bashkëpunimi rajonal i ILD-së. Metani përmendi anëtarësimin e institucionit në rrjetin europian RESIJ, si edhe organizimin në Tiranë të konferencës rajonale të shërbimeve të inspektimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, një iniciativë që pritet të vijojë edhe më tej.
Nga ana e tij, Jakob K. Alvi vlerësoi zhvillimin institucional dhe punën e ILD-së, ndërsa njoftoi se Danimarka pritet të rihapë ambasadën e saj në Shqipëri gjatë muajve të ardhshëm.
Në kuadër të vizitës, Metani zhvilloi edhe një takim në Gjykatën Speciale për Ngritjen e Akuzës dhe Rishikimin, ku u prit nga kryetarja e kësaj gjykate dhe njëherazi gjyqtare e Gjykatës së Lartë, Hanne Schmidt, zëvendëskryetari Jens Kruse Mikkelsen, si dhe Christian Dam Nielsen, gjyqtar i deleguar në Gjykatën e Lartë dhe drejtor ligjor në Sekretariatin e Gjykatës Speciale.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan mekanizmat danezë të inspektimit dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë, si edhe praktikat që lidhen me trajtimin e çështjeve disiplinore dhe garantimin e standardeve profesionale.
Delegacioni i ILD-së zhvilloi gjithashtu një takim në Ambasadën e Shqipërisë në Kopenhagë me ambasadorin Sokol Dedja, ku u diskutua mbi rolin e ambasadës në forcimin e marrëdhënieve me Danimarkën dhe mbështetjen e bashkëpunimit me diasporën shqiptare.
Vizita e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Danimarkë u fokusua në thellimin e dialogut institucional dhe njohjen nga afër me modelin danez të funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe standardeve të shtetit të së drejtës.
Lini një Përgjigje