TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Maj 2026, 16:20

“Po na izolojnë zonën”, banorët e Elbasanit paralajmërojnë protestë kundër ndërtimit të bypass-it

Shkruar nga Pamfleti
“Po na izolojnë zonën”, banorët e Elbasanit
Foto ilustruese

Banorë dhe përfaqësues të disa fshatrave në zonën e Elbasanit kanë vendosur të ngrihen në protestë kundër projektit aktual të bypass-it të Elbasanit, duke kërkuar rishikimin e tij dhe ndërtimin e hyrje-daljeve funksionale për zonat që preken nga aksi rrugor.

Protesta është paralajmëruar për ditën e diel, më 24 maj 2026, në orën 17:00, tek Pazari i Gjove në Mjekës.

Sipas banorëve, projekti aktual i bypass-it nuk parashikon hyrje dhe dalje funksionale për aksin Elbasan–Cërrik dhe për dhjetëra fshatra të zonës, duke e bërë investimin pa ndikim real për komunitetin dhe ekonominë lokale.

Banorët shprehen se, në mungesë të lidhjeve rrugore funksionale, qytetarët, bizneset dhe transporti i produkteve bujqësore do të vijojnë të përdorin itinerarin ekzistues, pa përfituar nga bypass-i i ri.

Zona që preket nga projekti përfshin një numër të madh aktivitetesh ekonomike dhe turistike, si prodhimi bujqësor, fabrika dhe biznese aktive, Banjot Termale të Llixhave dhe zonën turistike të Gjinarit.

Ndër fshatrat që sipas banorëve preken drejtpërdrejt nga projekti janë Mjekësi, Papri, Tregani, Shtermeni, Thanë, Gjergjani, Kuqani, Bujqësi, Jagodina, Kodër Bujarasi dhe disa zona të tjera përgjatë aksit.

Kërkesa kryesore e protestuesve është rishikimi i projektit dhe përfshirja e hyrje-daljeve funksionale, në mënyrë që bypass-i të ketë ndikim ekonomik dhe zhvillimor për banorët dhe bizneset lokale.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të jenë të pranishëm në protestë për të sensibilizuar opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi shqetësimin e tyre.

proteste elbasan by pas

Lini një Përgjigje