Pas vjedhjes që tronditi Muzeun e Luvrit, një tjetër goditje i është dhënë trashëgimisë kulturore franceze. Këtë herë, në shënjestër të grabitësve ka rënë muzeu “Maison des Lumières Denis Diderot” në Langres, në verilindje të Francës, ku janë vjedhur mbi 1,900 monedha të çmuara ari dhe argjendi.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës të së dielës, pikërisht kur muzeu ishte i mbyllur për shkak të festave lokale. Grabitësit kanë thyer derën kryesore dhe më pas kanë shkatërruar një vitrinë që ruante një pjesë të “thesarit” të muzeut, një koleksion historik me monedha që datojnë nga viti 1790 deri në 1840, të zbuluara gjatë rinovimit të ndërtesës në vitin 2011. Vjedhja përfshin saktësisht 1,633 monedha argjendi dhe 319 të arta.
Autoritetet franceze nuk e fshehin shqetësimin për një skemë të organizuar grabitjesh që ka në shënjestër muzetë dhe koleksionet e veçanta.
Në një deklaratë për shtyp, autoritetet e qytetit Langres konfirmuan se policia ka nisur hetimet për një grabitje të organizuar dhe të planifikuar në mënyrë të sofistikuar. Deri më tani nuk raportohet për dëme të tjera apo vjedhje veprash arti, por muzeu do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë të pacaktuar, ndërsa vendi do të ruhet nga një kompani sigurie private.
Lini një Përgjigje