TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Tetor 2025, 15:38

Iu sekuestrua pas përplasjes me prokurorin, Prokuroria i kthen celularin avokatit Ulian Barjami

Shkruar nga Pamfleti

Iu sekuestrua pas përplasjes me prokurorin, Prokuroria i kthen celularin

Prokuroria e Tiranës i ka kthyer telefonin e sekuestruar avokatit Ulian Barjami, i cili u lirua nga qelia dy ditë më parë pasi u ndalua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pas pretendimeve se kërcënoi prokurorin Gjergji Ceka gjatë seancës në Gjykatën e Elbasanit.

Vendimi për kthimin e telefonit u mor nga prokurorja e çështjes Esmeralda Keshi. Çështja fillimisht ishte në Prokurorinë e Elbasanit, por ditën e djeshme u shpall moskompetenca për shkak të konfliktit të interesit, pasi prokurori i përfshirë në çështje, Gjergji Ceka, ushtron detyrën e tij në këtë institucion.

Gjithashtu lidhur me këtë çështje, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka nisur verifikimet me iniciativë për rastin e ndalimit të avokatit Ulian Barjami. Ky i fundit u lirua me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit ku pas mbërritjes së materialeve për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi, apo caktimin e një mase sigurimi, dhe për rrjedhojë kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.

“Do të merrem personalisht me ty”, është deklarata që Ulian Barjami ka bërë në seancë më 13 tetor, drejtuar prokurorit Gjergji Ceka. Kujtojmë se Ulian Barjami u prangos pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka. Avokati Bajrami akuzoi prokurorin manipulim provash, teksa iu drejtua duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore.

Madje ai shtoi se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe ky i fundit bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.

Avokati Ulian Barjami o lirua dy ditë pasi u vu në pranga me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Arrestimi i Barjamit bëri që avokatët në të gjithë vendin të merrnin vendimin për të bojkotuar të gjitha seancat deri më 25 tetor, përveç seancave për masat e sigurisë. Por, me lirimin e Barjamit pritet të shihet nëse Dhoma e Avokatisë do të tërhiqet nga bojkoti apo do ta vijojë deri për 5 ditë. Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP. 

Lini një Përgjigje