Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka miratuar urdhër-arrestin për ish-ministrin Arben Ahmetaj.
Afro një javë nga heqja e imunitetit nga Parlamenti, tashmë policia ka në dorë një urdhër për gjetjen dhe arrestimin e ish-ministrit. Ahmetaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
SPAK nisi hetimet ndaj tij në kuadër të inceneratorëve, por duket se u fokusua te aspekti personal. Fillimisht shkoi një kërkesë në Kuvend për të lejuar arrestimin. PS vendosi të mos krijonte pengesa dhe aprovoi kërkesën.
Në fund të javës që lamë pas, SPAK shkoi në gjykatë dhe kërkoi masë arresti për Ahmetajn. Gjyqtarit Erion Bani ju deshën disa ditë të shqyrtonte dosjen dhe sot ka miratuar kërkesën e arrestit, ndërkohë që pak ditë më parë u pranuan kërkesat për kontrollin e banesës dhe vendosjen e disa pasurive në sekuestroi preventive.
Ahmetaj është larguar jashtë vendit dhe procedura tani që do të ndiqet është e tillë: Pas marrjes së urdhër-arrestit, policia do të ushtrojë kontroll në banesat ku ai ka të deklaruar vendbanimin. Nëse nuk gjendet aty, do të lëshohet një urdhër kombëtar. Pra të gjithë policët në vend do vihen në dijeni se Arben Ahmetaj është person në kërkim dhe nëse gjendet brenda territorit, duhet të arrestohet. Në momentin që policia do sigurohet se ai nuk është brenda vendit, atëherë do të nxirret një urdhër kërkimi ndërkombëtar dhe do kërkohet ndihma e INTERPOL. Sipas burimeve urdhri ka shkuar në drejtorinë e policisë dhe tani priten lëvizjet e forcave të rendit.
SPAK dhe BKH pak ditë më parë kontrolluan disa prona të Ahmetajt dhe u bë me dije se aty janë gjetur dokumente dhe prova që i shërbejnë hetimit. Por nga ana tjetër u bllokuan 4 apartamente.
“Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro)”, njoftoi SPAK.
Lini një Përgjigje