TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Prill 2026, 22:19

Gjykata e Lartë kthen për rigjykim çështjen ndaj Thoma Gëllçit, reagon Matlija: U konfirmua se rasti kishte problematika

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Lartë kthen për rigjykim çështjen ndaj Thoma
Thoma Gëllçi

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i dënuar më herët për “shpërdorim detyre”, duke vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues.

Sipas vendimit, procesi duhet të nisë nga e para në Apelin e Posaçëm, duke rihapur në thelb shqyrtimin e çështjes ndaj Gëllçit. Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e tij ligjore, pasi ai kishte kërkuar pafajësi në Gjykatën e Lartë.

Gëllçi ishte dënuar fillimisht me 2 vite burg, dënim që u reduktua në 1 vit e 4 muaj heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai e ka përfunduar dënimin dhe aktualisht ndodhet në liri.

Çështja lidhet me një procedurë tenderimi për pajisje për kanalin RTSH Agro, ku sipas akuzës ishte bërë një shtesë kontrate jashtë afateve ligjore.

Avokati i tij, Dorian Matlija, e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si një tregues se procesi i mëparshëm ka pasur probleme që në fillim. Sipas tij, rikthimi i çështjes krijon mundësinë për rivendosjen e standardeve të drejta dhe një rivlerësim të plotë të provave.

Ai theksoi gjithashtu se më herët Gëllçi kishte fituar një çështje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, lidhur me arrestimin e tij.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, për të zhbërë procesin e dënimit të Thoma Gëllçit, është një sinjal i qartë se standardet e deritanishme të trajtimit të kësaj çështjeje ishin problematike që në nisje. Kjo është përforcim i zhvillimit të mëparshëm kur Thoma Gëllçi fitoi në Gjykatën e Strasburgut kundra arrestimit të tij.

Prej kohësh, kjo çështje ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si u përdorur ndjekja penale, duke krijuar një praktikë që ngarkon përgjegjësi penale pa kriter.

Tashmë, me rikthimin e çështjes hapet një mundësi reale për të rivendosur standardet e drejta dhe për të riparuar devijimet që kanë karakterizuar këtë proces që nga nisja.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë e zhvesh çështjen nga përfundimet e mëparshme dhe e rikthen atë në pikën ku duhej të ishte gjithmonë, ku barra bie mbi SPAK për të na treguar pse një shtetas i pafajshëm nuk e meritonte këtë pafajësi që ditën e pare”, shkruan ai.

 

gellci matlija

Lini një Përgjigje