TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Mars 2023, 17:36

Gjuetia e DEA-s në Tiranë: A po nis të xhirohet “Narcosi" shqiptar?

Shkruar nga Pamfleti

Gjuetia e DEA-s në Tiranë: A po nis të xhirohet

Shumë shpejt do të kemi arrestime e ekstradime të nivelit të lartë, por ka shumë gjasa edhe bomba mediatike të lidhjes së politikës me narkotrafikantët...

Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar një informacion që në thelb është një 'bombë' e vërtetë. Në faqet e saj në rrjetet sociale, ambasada amerikane bëri të ditur se DEA ka hapur një linjë direkte komunikimi për qytetarët, që të marrë informacion në lidhje me trafikun e drogës, por edhe pastrimin e parave që fitohen nga narkotikët.

Ky është një zhvillim i ri, mjaft i rëndësishëm, për të mos thënë tronditës.

Po realisht çfarë përbën ky avancim i aksionit të Agjencisë prestigjioze të SHBA në luftën kundër narkotikëve?

Kushdo që ka parë serialin e famshëm “Narcos” në Netflix, që ka ardhur si ditar i dy agjentëve të DEA-s: Steve Murfy dhe Javier Penja, e kupton mjaft mirë këtë fazë që ka nisur në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një aksion operativ proaktiv të DEA-s, e cila ka një vit që e ka sjellë zyrën në Tiranë, por që prej vitesh ka lidhje me Shqipërinë, e si drejtues i saj është një amerikan me origjinë shqiptare.

Deri më sot, DEA ka vepruar nëpërmjet zyrës së Athinës, e asaj të Sofjes, ku i ka përqendruar bërthamat e Ballkanit, por ardhja në Tiranë, e mbi të gjitha nisja e një pune operative, do të thotë që shumë shpejt, maksimumi për një vit ne do të shohim konfiskime, arrestime dhe ekstradime bosësh të mëdhenj. Dhe në radhë të parë tronditje të politikës, si pasojë e lidhjes së zyrtarëve me narkotrafikantët.

DEA nuk është një organizatë si FBI që e zgjat një hetim edhe 5 vjet, ajo o e mbyll për gjashtë muaj, maksimumi 9, ndryshe ka dështuar.

Ardhja e Agjencisë së frikshme me buxhet pa limit në SHBA për luftën ndaj drogës, duket se ka një arsye të madhe, e që nuk lidhet thjesht me shqiptarët që trafikojnë kokainën direkt nga Amerika Latine. Pasi DEA, e cila është mjaft e lidhur në territor në Kolumbi e Ekuador, ku shqiptarët tashmë prej vitesh janë aktorë të rëndësishëm të trafikut, kanë arritur që të investojnë shumë nga paratë e fituar nga ky trafik në ekonominë globale.

Jo më kot, DEA ka ardhur pikërisht kur baronët shqiptarë të drogës e kanë zhvendosur aktivitetin nga Amerika Latine në Dubai, e më pas në Shqipëri, ku flitet gjithnjë e më shumë se vijnë paratë pasi kanë bërë një 'dush' në Emirate.

DEA ka qenë mjaft aktive në kapjen e konfiskimin e një numri të rëndësishëm baronësh shqiptarë kryesisht në Greqi e Turqi, por dhe në Europë. Këtë e kanë bërë nga zyrat e Athinës, të Romës, e Amsterdamit. E me këtë strategji DEA ka arritur të frenojë fuqinë shkatërruese të parasë së kokainës, në atë mënyrë që ka mundur normalisht jo të plotë.

Nisja operacionale e DEA-s në Tiranë, do të thotë se ekipi i saj po heton fort, e së shpejti ne do të kemi rezultate në ndalimin e ardhjes së parave të kokainës nga Ekuadori në Dubai e më pas në Shqipëri. Është folur shumë për një fluks parash droge në ndërtime apo edhe investime publike, qoftë në Portin e Durrësit apo edhe sipërmarrje të tjera në fushën e turizmit. DEA duket se jo vetëm që e ka nuhatur, por ka prova për këtë.

E ajo ka ardhur në Shqipëri, sipas gjasave me ekipin më të mirë për ta ndaluar këtë, siç ka bërë në Kolumbi me Escobarin apo Kartelin e Kalit, që ishin perandorët e botës ngaqë xhironin miliarda dollarë, jo më me aktorë rajonalë që bëhet fjalë për shumë më pak para. DEA ka ardhur këtu jo të hetojë në heshtje, por të bllokojë dhe arrestojë me bujë, siç bëri në Kolumbi kur shkaktoi një luftë civile me dy nga kartelet më të mëdha botërore që i shkatërroi. Sipas gjasave, ne do të përjetojmë një tërmet shumë të madh të aseteve dhe mjediseve kriminale, ku DEA siç u bë e ditur në njoftimin e ambasadës, është një aktor i dorës së parë në hetim.

Ata hetojnë vetë, madje edhe ndërhyjnë në raste të caktuara kur duan të arrijnë një dëshmitar të drejtësisë. Vetëm kur ka operacione të mëdha e bëjnë me aktorët lokalë. E ku askush nuk ja bën fjalën dysh. Sipas gjasave do të kemi arrestime e ekstradime të nivelit të lartë, por ka shumë gjasa edhe bomba mediatike të lidhjes së politikës me narkotrafikantët.

DEA nuk vjen kot në terren, ajo ka shumë gjasa që të nxjerrë përfundime shumë të forta. Siç ka bërë në Kolumbi kur çmontoi kartelet më të mëdha të historisë planetare, edhe pse me kosto të mëdha, por i çmontoi. Të mos harrojmë, si Escobar si Kali, zotëronin miliarda dollarë…/Pamfleti

dea narcos ekstradime

Lini një Përgjigje