
Prokurori i dosjes "Babale" rikthehet në detyrë nga KPA. KPK e shkarkoi në vitin 2021...
Prokurori që dërgoi për gjykim Ervin Salianjin është rikthyer në detyrë. Koincidencë apo jo, pak ditë pasi Apeli konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë, njëri nga prokurorët që hetoi Salianjin ka dalë i lumtur nga seanca e sotme në KPA.
E kemi fjalën për prokurorin Genci Qana, i cili u shkarkua në Shkallën e Parë, mirëpo Apeli e ka kthyer në detyrë.
“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 362, datë 31.03.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Genci Qana; Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm; U shpall në Tiranë, sot, më datë 01.10.2024”, thuhet në njoftim. Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj.
Qana u shkarkua në vitin 2021 në KPK. Gjatë seancës dëgjimore më 9 mars 2021, Qana u përball me dyshime mbi burimin e ligjshëm për disa prej pasurive të tij dhe denoncime për çështjet që kishte hetuar, përfshirë pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.
Sipas analizës financiare, ai rezultonte me një bilanc negativ me 1.4 milionë lekë për periudhën deri në vitin 2003 dhe me mbi 2 milionë lekë nga viti 2003 deri në vitin 2016.
Por ajo që ngjall habi është se konfirmimi vjen pak ditë pas burgosjes së Salianjit dhe Qana është pikërisht personi që dërgoi në gjykatë Salianjin.
Prokurorët e parë që u morën me çështjen "Babale" ishin Gent Osmani dhe Përparim Kulluri. Por dsoja u transferua nga Krimet e Rënda te Prokuroria e Tiranës. Aty e morën prokurori Kolë Hysenaj (i shkarkuar nga të dyja shkallët) dhe Genci Qana. Dhe ishin ata që çuan në gjykatë Salianjin. Por ndryshe nga Hysenaj, Genc Qana kërkoi 1.6 vite burg, por konvertuar në 3 vite shërbime prove. Mirëpo gjykata vendosi 1 vit burg.

“Mbi bazën e këtyre fakteve, nga përfaqësuesit e organit të akuzës u kërkua deklarimi fajtor i secilit prej të pandehurve Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji për veprat penale të atribuara në këtë gjykim, si dhe dënimi i secilit prej tyre me burgim në masat e përcaktuara në pjesën hyrëse të ketij vendimi, duke u kërkuar aplikimi i nenit 63 të Kodit Penal për të pandehurin Jetmir Olldashi (ku prokurori G.Qana kërkoi aplikim të nenit 59 të Kodit Penal ndaj të pandehurit Ervin Salianji). Përfaqësuesit e akuzës parashtruan se të pandehurit me veprimet e tyre të kryera me dashje kanë konsumuar elementet e këtyre veprave penale, duke kërkuar nga Gjykata që në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit ndaj seicilit prej të pandehurve të marrë në vlerësim rrezikshmërinë e veprave penale, faktin që vepra penale e parashikuar nga nenet 305-25 është kryer në bashkëpunim, rrezikshmërinë e vetë të pandehurve dhe rrethanat individuale, sociale e familjare të secilit prej të pandehurve si më sipër janë evidentuar”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë.
Si ka mundësi që prokurori rikthehet në detyrë, sapo Salianji futet në burg? Koincidecë apo vettingu vepron me regji dhe ai u shpërblye për shërbimin e kryer?
Kjo dëshmon qartë se dënimi i Salianjit ka qenë politik. Rama e kishte gati fjalimin, Berisha po ashtu këtë priste që të niste trazirat. Teksa duket se tani është shpërblyer dhe prokurori i dosjes, i cili u slmua në atë kohë nga PD. /Pamfleti
Lini një Përgjigje