
Nuredin Seci, njeriu garant për pagesën prej 6 milionë dollarësh për kompaninë lobuese për heqjen e “non gratës” së kreut të PD, Sali Berisha ka reaguar lidhur me kontratën me SHBA.
Ai është shprehur se ndodhet me pushime me familjen dhe nuk mundet të flasë për momentin.
“Ju faleminderit për interesimin por unë këto ditë jam me pushime me familjen larg e jam i pa mundur, për lobimin flet kontrata e ka Departamenti i Shtetit e besoj që këtu çdo gja bahet transparente! Ju faleminderit për mirëkuptimin”, ka shkruar ai për “TCH”.
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka filluar verifikimin lidhur me kontratën e lobimit të nënshkruar nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci; presidenti i firmës Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, një ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump; si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka në cilësinë e përfituesit. Kontratë që ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë lobim, në kontratën e nënshkruar më 4 prill, është përcaktuar të paguhet një tarifë prej 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë prej 24 muajsh, që në total përllogaritet në masën prej 6 milionë dollarë.
Sipas kontratës, vlerat monetare do të paguhen nga një fondacion që përfaqësohet nga Nuredin Seci, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë përfituese e shërbimit të lobimit, nuk do të paguajë asgjë.
Continental Strategy është një firmë konsulence dhe lobimi me bazë në Shtetet e Bashkuara, e specializuar në marrëdhënie me qeverinë dhe strategji politike. E themeluar në fillim të vitit 2022 nga ish-ambasadori dhe përfaqësuesi shtetëror Carlos Trujillo.
Në kontratë thuhet se firma bie dakord t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave; ofrimi i mbështetjes për promovimin e demokracisë, nismave kundër korrupsionit dhe reformave qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri; përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhënie me qeverinë, avokim të politikave, shërbime ligjore dhe angazhim të aktorëve të interesit në përputhje me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Firma me seli në Uashington DC ka lidhje të ngushta me administratën e ish-Presidentit Donald Trump. Themeluesi Carlos Trujillo ka shërbyer si këshilltar i fushatës së Trump dhe si ambasador i SHBA-së në Organizatën e Shteteve Amerikane. Kjo lidhje ka ndihmuar në rritjen e shpejtë të firmës, veçanërisht pas rikthimit të Trump në presidencë.
Continental Strategy ka lidhje të forta politike me figurat kryesore të Partisë Republikane në SHBA, përfshirë Katie Wiles dhe Senatorin Marco Rubio.
Këto lidhje tregojnë për angazhimin e thellë të Continental Strategy në rrjetin politik republikan dhe ndikimin e saj në politikën amerikane.
Lini një Përgjigje