Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mediat paralajmëroi sot se do të ndërmarrë procedura për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar nëse ky këshill refuzon kërkesën e këtij komisioni për të ndërprerë procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së.
Komisioni i Medias do i kërkojë zyrtarisht Këshillit Drejtues të ndërpresë procesin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH.
Kjo lëvizje e Komisionit të Medias vjen pas akuzave për paligjshmëri të procesit, pasi Këshilli Drejtues vendosi të hënën me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret.
Si rrallë herë, opozita dhe mazhoranca janë në një linjë dhe kërkojnë një garë të hapur dhe transparente. PS garanton se do të angazhohet të ndërmarrë çdo hap që i garanton ligji për të garantuar garën e drejtë.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa thotë se nëse nuk pranojnë që të ndërpresin procesin, PD do kërkojë shkarkimin e anëtarëve.
“Nëse nuk ndërpritet procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri të fillojmë procedurat për shkarkimin e anëtarëve të këshillit”- tha kryetarja opozitare e komisionit Ina Zhupa duke shtuar se “ne i emërojmë i zgjedhim dhe ne mund t’i shkarkojmë”.
Sipas saj ky është paralajmërim që mund të bëjë çdo institucion që ka në mbikëqyrje një institucion tjetër.
“Çdo shkelje e ligjit ka pasoja”-sugjeroi ajo, duke e cilësuar procedurëne skualifikimit të kandidatëve në garë për drejtor të përgjithshëm të RTSH si “ekstraligjore”.
Propozimi i Zhupës u mbështet dhe nga nënkryetarja socialiste Evis Kushi.
“Ne si mazhorancë jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap që na lejon ligji për ta kthyer këtë situatë në normalitet”- tha ajo.
Zhupa dhe Kushi kishin paralajmëruar qëndrimin e tyre zyrtar që të martën, pas një vendimi të Këshillit Drejtues ku me shumicë votash u skualifikuan nga gara 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësonin kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.
Gjatë votimit të së hënës në këshill u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
Edhe drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza kaloi një proces përzgjedhjeje të kontestuar, pasi kishte një karrierë të gjatë politike pranë Partisë Socialiste. Peza dha dorëheqjen nga detyra në qershor të vitit që shkoi, ndërsa po përballej me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën.
Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar.
Lini një Përgjigje